Lufta për dronë: Kosova i do nga Amerika, Serbia ata ‘Bayraktar’ nga Turqia – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Lufta për dronë: Kosova i do nga Amerika, Serbia ata ‘Bayraktar’ nga Turqia

    Insajderi
    10 April 2022 - 17:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për dronët “Bayraktar” nga Turqia” që nga nisja e luftës në Ukrainë janë duke u interesuar jo pak shtete, në mesin e tyre edhe Serbia. Por, Kosova dronët synon t’i marrë nga Amerika.

    Është vet president serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha dje se ka kërkuar nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan që të blejë dronë ‘Bayraktar’ për ushtrinë serbe.

    “Ne duhet t’i forocjmë njësitë tona të helikopterëve, si dhe dronët. Tashmë kam biseduar me presidentin Erdogan për të blerë “Bayraktar” nga Turqia”, tha Vuçiq gjatë një vizite në një trajnim të ushtrisë së Serbisë, çka paralajmëroi po ashtu edhe blerjen e syzeve franceze të shikimit të natës për ushtrinë e tij.

    Për t’u pajisur me dronë interesim ka shprehur edhe Kosova, dhe atë shumë para nisjes së luftës në Ukrainë. Por interesimi i Kosovës të paktën deri tani zyrtarisht është që të furnizohet me dronë nga Amerika.

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten më 25 qershor të vitit 2021 kishte shqyrtuar propozimin për blerjen e dronëve nga Shtetet e Bashkuara për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Propozimi ishte bërë nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i cili kishte deklaruar para kabinetit qeveritar se blerja e katër dronëve amerikanë bëhet për nevoja të ngritjes së kapaciteteve për inteligjencë, vëzhgim dhe zbulim.

    Mehaj kishte deklaruar atë kohë se Ministria e Mbrojtjes e SHBA-së, e ka miratuar shitjen e këtij sistemi përmes procesit të blerjeve së jashtme ushtarake dhe se i gjithë projekti, përfshirë mjetet përcjellëse, kushton në vlerë 11.9 milionë euro dhe që mund të paguhet përmes dy kësteve.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte rënë dakord me propozimin, ndërsa kundër këtij propozimi doli ministri për Kthim dhe Komunitete njëherësh udhëheqës i Listës Serbe, Goran Rakiq.

    Mehaj në tetor të 2021 vizitë në SHBA për blerjen e dronëve

    Gjatë vizitës që zhvilloi në muajin tetor të vitit 2021, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj në SHBA, kishte deklaruar se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-së po punon për blerjen e pajisjeve ushtarake për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të forcave të armatosura, siç janë dronët për të cilët po diskutohet me palën amerikane.

    “Po kemi diskutuar, këto janë në proces, jo vetëm dronat por edhe blerje të tjera. Jemi në koordinim e sipër për mënyrën se si do të funksionalizohen”, kishte deklaruar Mehaj për Zërin e Amerikës.

    Presidentja Osmani vizitë në kompaninë ku prodhohen dronët “Bayraktar” 

    Ndërsa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, më 26 shkurt të vitit 2022 kishte vizituar
    kompaninë që prodhon dronët “Bayraktar” më të cilët Ukraina po e lufton Rusinë.

    Por presidentja pas vizitës nuk ka deklaruar nëse Kosova synon blerjen e dronëve “Bayraktar” nga Turqia.

    Ndryshe, sipas mediave turke, dronët “Bayraktar” i janë shitur të paktën 22 shteteve në botë.

    Prodhimi turk, TB2 Bayraktars, i cili është mjet ajror taktik pa pilot po përdoret nga ushtria e Ukrainës përballë ushtrisë së përparuar ruse.

    Droni TB2 Bayraktars mund të mbajë raketa antitank dhe mund të fluturojë deri në 138 milje në orë.

    Ai ka një gjatësi rreth 12 metra ndërsa një gjerësi prej 6.4 metra kurse një lartësi operacionale mbi 5 mijë e 400 metra.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    16 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark