E ardhmja e Myrto Uzunit shihet shumë larg Granadës, me sulmuesin e Kombëtares shqiptare që ka nisur një “luftë të ftohtë” me klubin e tij.
Pak ditë më parë, 29-vjeçari mori një ofertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me skuadrën e Austin që ishte gati t’i jepte një pagë prej 10 milionë dollarësh në 4 vite.
Gjithsesi, Granada nuk e ka pranuar ofertën e ardhur nga amerikanët, gjë që ka krijur një përplasje mes klubit spanjoll dhe sulmuesit shqiptar.
“Marca” raporton se Uzuni ndihet i shpërfillur, me arsyetimin se klubi nuk e ka përmbushur atë që i është premtuar, ndaj beratasi kërkon që të konsumohet përmirësimi i kontratës, i rënë dakord joformalisht muaj më parë, sipas futbollistit.
Për këtë arsye, ai ka refuzuar që të stërvitet me skuadrën ditët e fundit, kjo si një shenjë proteste që klubi të mbajë premtimin e dhënë ndaj tij.