Luftëtari serb i dënuar në Donbas, në barrikadat në veri të Kosovës – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Luftëtari serb i dënuar në Donbas, në barrikadat në veri të Kosovës

    Insajderi
    16 December 2022 - 19:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Disa ditë pasi disa serbë lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, barrikadat u vizituan nga një shtetas serb i dënuar për pjesëmarrje në forcat ruse gjatë luftës në Ukrainë në vitin 2015.

    Nikolla Joviq, i cili u dënua nga Gjykata e Lartë për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë, veprim që ligji serb e dënon, ka publikuar në Facebook fotografi nga fshati Rudarë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.

    Në këtë vend, kamionët e disa serbëve lokalë janë përdorur për ta bllokuar rrugën që disa ditë, në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të bashkëkombësit të tyre dhe ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

    Pantiq u arrestua më 10 dhjetor, pasi që autoritetet e Kosovës dyshojnë se ai mori pjesë në sulmin ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

    Joviqi ka thënë se shkoi në veri të Kosovës si gazetar i medias shtetërore ruse Russia Today (RT). Në fotot e tij të publikuara më 13 dhjetor shihet një veturë e Misionit të NATO-s në Kosovës, KFOR-it, flamuri i Serbisë në oborrin e një shtëpie, si dhe një tendë e ngritur nga disa banorë lokalë në fshatin Rudarë.

    Joviq e ka publikuar edhe një fotografi të veten në Mitrovicën e Veriut në Kosovë.

    “Në barrikada. Gjithmonë me njerëzit e mi”, shkroi Joviqi përkrah fotove të publikuara.

    Në njërën nga fotot e Joviqit, në Kosovë shihet edhe simboli i pushtimit ushtarak rus të Ukrainës “Z”.

    Ai gjithashtu ka postuar në Facebook se si raporton nga Kosova, si korrespondent i kanalit shtetëror rus Russia Today (RT).

    RT filloi transmetimin online në gjuhën serbe më 15 nëntor me mesazhin “Kosova është Serbi”.

    RT-së, si një media e kontrolluar nga Kremlini dhe e financuar nga buxheti i shtetit, i ndalohet transmetimi në Bashkimin Evropian që nga marsi i vitit 2022.

    Ky medium është cilësuar si mjet kyç për përhapjen e propagandës ruse dhe është bërë cak i një pakove të sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

    Në tetor, Joviqi njoftoi në Facebook se atij i ishte ndaluar hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë. REL-i nuk ka marrë përgjigje nga Policia e Kosovës nëse Joviqit i është lejuar të hyjë në Kosovë.

    Radio Evropa e Lirë u përpoq të merrte informacion nga Joviq për qëndrimin e tij në Kosovë, por ai nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve.

    Në një përgjigje me shkrim në Facebook, ai përmendi pakënaqësinë me shkrimet e mëparshme të REL-it për të si arsye.

    “Mbështetje për serbët” dhe raportimi nga veriu i Kosovës

    Më 13 dhjetor, Joviq e përcolli mesazhin në Facebook se është e rëndësishme që “të jemi atje me vëllezërit tanë” me simbolin e flamurit serb, si dhe se do të jetë “i sigurt edhe për disa ditë”. “ në Kosovë.

    Në një postim tjetër të datës 11 dhjetor, Joviqi njoftoi për punësimin e tij në kanalin shtetëror rus RT, në të cilin flet në anglisht për situatën në Kosovë.

    Në reportazhin e tij për RT-në, ai i përshkruan ngjarjet në veri të Kosovës si “provokim” të shqiptarëve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas tij po mundohet t’ia imponojë vullnetin e tij serbëve të Kosovës.

    Në një postim në Facebook, ai shkroi se po përdor “pozitën e tij si korrespondent i shërbimit ndërkombëtar RT” për të informuar “opinionin botëror për situatën në krahinën tonë jugore dhe për terrorin e vazhdueshëm ndaj serbëve” në Kosovë.

    Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi zyrtar nuk e njeh atë si shtet të pavarur. Me ndihmën e Rusisë, ndër vende të tjera, Serbia po bllokon anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

    Kremlini zyrtar fajëson Bashkimin Evropian për tensionet e fundit në veri të Kosovës për, siç tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, “një dështim të madh të ndërmjetësimit në dialogun e ngecur”.

    BE-ja ka ndërmjetësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që nga viti 2011 dhe fton rregullisht në takime përfaqësues të dy vendeve në përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund njohjen reciproke.

    Shkrimi i plotë në REL.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark