Lugina Përtej dhe Republika e Albin Kurtit - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Lugina Përtej dhe Republika e Albin Kurtit

    Insajderi
    21 July 2025 - 14:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nuk po flas për Luginën e Preshevës. As që Republika e Kosovës është e Albin Kurtit. Por, pasi që analfabetët që në rrjete sociale mbështesin liderin e Vetëvendosjes, haptazi duket që nuk lexojnë, do t’ua shpjegoj qeverisjen e tij me një seri televizive

    Visar Duriqi

    Williams, milioneri që krijoi lojën “WestWorld” shfaqet me një revolver në duar, tipike për filmat Western, dhe duke pikuar gjak nga dora tjetër. Përtej dhimbjes, dilemave se çka kishte ndodhur, ai në atë moment shfaq edhe dilemën më të madhe njerëzore: a ekzistojmë!

    Gjatë ishte fokusuar në lojën që krijoi, një vend me robotë ku për njerëzit gjithçka ishte e lejuar që të bënin kundrejt tyre, Wlliams kishte humbur sensin. Nuk e dinte më as për vete se çka ishte robot, dhe njëri prej lojtareve, njeri që luante, apo të dyja bashkë. Ose, dhe asnjëra.

    Ky pak a shumë ishte përfundimi i sezonit të parë të një seriali që ishte rikrijim i filmit të viti 1973 me po të njëjtin emër.

    Derisa filmi përfundon me një mbyllje të thjeshtë, rebelim i robotëve, versioni i bërë deri tash me shumë  sezone, ka pasur zhvillime krejt tjera.

    Një nga to është vet koncepti “Lugina Përtej”.

    Nga komentet që lexoj për simpatizantët e ashpër të Kryeministrit Albin Kurti duket haptazi që ata nuk lexojnë, prandaj po ua shpjegoj atë që ndodhë në këtë seri televizive, edhe pse nuk gjendet me titra shqip e do ta kenë zor që ta shohin. Por, le të provojnë.

    Në thelb, derisa robotët krijojnë vetëdije dhe binden që njerëzit po i keqtrajtojnë, krijojnë edhe liderët e tyre për të bërë rezistencën. Por, lider pa premtime edhe nuk ka. Robotët janë të krijuar në imazhin e njerëzve, dhe pos që nuk kanë gjak e mish, e në vend të tyre kanë hekur e tela, motivohen nga premtimi.

    Premtimi? Do t’i ikim tiranisë njerëzore dhe do të shkojmë te Lugina Përtej.

    Krejt ajo betejë. Krejt ato vuajtje për tu vrarë e ringjallë. Krejt ajo sakrificë, për të kuptuar në fund që Lugina Përtej është një portal. Robotët me vetëdije lënë pas trupat e tyre fizik për ta bartur në një re digjitale vetëdijen, kujtimet e përvojat e tyre- unin. Por, asgjë më shumë.

    Pak gjëra ndryshojnë. Pos që në skenat tuje në liqenin afër lojës “WsetWorld” shfaqen pirgje trupash pa funksion. Hetues që po mundoheshin ta kuptonin: çka ndodhi.

    Ajo që duket në nivel fasade ndryshe në sezonat tuje, është që pastaj robotët rikthehen. Marrin kontrollin e botës dhe njerëzit janë tash nën kontrollin e tyre, por pothuajse asgjë nuk ndryshon. Pasi që ata, robotët pra- janë krijuar nga njerëzit, dhe janë të damkosur që të vazhdojnë të njëjtën sjellje. Të trashëgojnë të njëjtat mëkate, dhe kryesorin prej tyre: Lakminë!.

    Dhe, një premtim për një botë ideale dështon, pasi që një e tillë nuk ekziston. Nuk ka ekzistuar. Nuk do të ekzistoi.

    Përtej skenarëve dhe të kuptuarit ndryshe-ndryshe të këtij prodhimi televiziv, nga njerëz të ndryshëm, e ngjashmja me Albin Kurtin është që ai bëri premtimin e madh: Për Luginën Përtej- jo Luginën e Preshevës, që ta kthente nën Kosovë, por jetën e kosovarëve pas asaj që ai e quante regjimi 20 vjeçar që vetëm shkatërroi.

    Si robotët e Williams, edhe kosovarët ngarendën prapa Kurtit. E votuan disa herë. Derisa ia dhanë komplet pushtetin. 51 %, në një model si Kosova, në fakt janë 100 e pushtetit.

    15 shkurti i vitit 2021 për votuesit e Kurtit mund të ketë qenë ndjenjë e përafërt me robotët e Wlliams që kalonin portalin e Luginës së Përtejme. Nga 16 shkurti e tutje do ta kuptonin që pak kishte ndryshuar. Dhe do të kalonin edhe katër vite. Edhe më shumë se kaq.

    Reteorika bardhe e zi e Kurtit, sikur dikur e Williams, për tu bërë realitet bota ideale që iu premtoi ai robotëve e Kurti votuesve të tij, filloi të rëndohej me arsyetime. Nga ‘Hajat n’burg’, ‘Dubrava 12 kate’ e ‘Dasmat janë për familjarë’, u ndryshua në fjali të komplikuara si kod kompjuteri që ‘Kushtetuta nuk e lejon’, ‘Po punojmë në këtë drejtim”, ‘Nuk e kam thënë kështu…”.

    Nga premtimet për qeverisje transparente përfunduam në negociata sekrete me Serbinë. Se kështu qenka diplomacia- konfiencialitet, na thonë. Thua se për 20 vite bota ka qenë ndryshe.

    Nga akuzat e Kurtit që ‘kta edhe n’tendera për përmendore për dëshmorë vjedhin’ përfundoi Republika në situatën që me nënshkrim të’shpëtimtarit’-Kurtit, të vidhet hambari i popullit- rezerva shtetëror nga hajdut kuzhinierë personal të tij.

    Vet togfjalëshat tender i negociuar, tender sekret, janë emblema e qeverisjes së tij me mbi 200 milionë euro të shpërndara në këtë formë.

    Nga ‘rryma është e shtrenjtë se ne flemë mbi thëngjill’, tash jemi në situatën, në Luginën Përtej ku rryma na qenka shumë e lirë dhe duhet ta rrisim për 200%.

    Nga akuzat për mafia energjetike me nipërit e Milloshviqit, në lidhje direkte në Vetëvendosje me njerëz që ishin në payrollin e GENBeograd.

    Dikur pjesëmarrës protestash të dhunshme që gjuanin policinë, sot aktivistët e Vetëvendosjes janë policë, sikurse dikur robotët e Williams që ishin të komanduar e u shërbenin dëshirave të njerëzve, që në sezonin tjetër bëhen drejtues të tyre.

    Si ata dhe këta e kuptuan që asgjë nuk ka ndryshuar. Vetëvendosje është parti me individë të korruptuar, sikurse kanë qenë dhe partitë e tjera. Dikur protestues të dhunshëm, sot policë, prapë duhet të jenë mbrojtës të rendit karshi eventualisht protestave të dhunshme të dikujt tjetër kundër tyre.

    Mëkati i trashëguar i Lakmisë! mbetet aty. Lideri i premtimeve të mëdha për një barazi është rëndom në Greqi. O me takime me të majtit e parëndësishëm, o me takime me tregtarë të rrymës që kapin miliona në Kosovë. Për ambasador ka një tregtar tjetër të rrymës, që çuditërisht del të jetë me nënshtetësi të Serbisë, të cilën Kurti thotë se po e lufton.

    Robotët përkrahës të Villiams sezon pas sezone fillojnë të biejnë, njëjtë si përkrahësit e Kurtit që zgjedhje pas zgjedhjesh tkurrën me përqindje domethënëse.

    Sot ishte hera e 50-t e dështimit për ta caktuar, më falni për shprehjen, një ‘fucking Kryetar Kuvendi’. Dhe, kjo është Republika e Albin Kurti. Kjo është Lugina Përtej ish-regjimit. Këta jemi ne.

    Williams robot në fund, i duhet që ta vras vetën e tij si kopje njerëzore rezervë që e ka lënë në laborator të ngujuar, por as për të nuk është sigurt nëse është origjinali, apo një nga klonet. Gjithçka duket e turbullt. Por një gjë mbetët e qartë: vite e mund të shkuara huq për të ardhur tek e njëjta pikë e rrethit ku gjithçka nisi dhe një pyetje më shumë që do të ngelët pa përgjigje, pasi që përgjigja është në vetë pyetjen: A ia vlejti?


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark