×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    ‘Lulëzojnë’ punësimet familjare në komunën e Pejës- burri dhe motra e dy drejtoreshave rrugës për tu bërë “zyrtarë të lartë”

    Insajderi
    18 September 2024 - 16:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Punësimet familjare kanë “lulëzuar” në komunën e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri i LDK’së. Në dy konkurse të hapura, janë zgjedhur fitues, familjarët e dy drejtoreshave të komunës së Pejës, të cilët janë rrugës për tu bërë “zyrtarë të lartë”. Më saktësisht, kandidatët fitues të përzgjedhur janë, njëri bashkëshorti i drejtoreshës për Administratë. Dhe tjetra është motra e drejtoreshës për Mirëqenie Sociale. Nëse brenda afatit 30 ditor askush nuk ankohet, dhe nuk ka anulim të konkursit, Egzon Mullarama dhe Elodijana Mujaj Spahija, do të fillojnë punën në pozitat e përzgjedhura.

    Gazeta Insajderi

    Në komunën e Pejës me 23 gusht është zgjedhur kandidati fitues i konkursit për pozitën “Zyrtar i Lartë për Ndërtimtari – Projekte”.

    Egzon Mullarama është emri i përzgjedhur fitues për këtë pozitë.

    Sipas njoftimit përfundimtar, Mullarama ka arritur 86.8 pikë.

    Për këtë konkurs ka afat 30 ditor për ankesa, në rast të kësaj ka mundësi që të anulohet konkursi, përndryshe kandidatët fitues, pranohen zyrtarisht në pozitën e cekur.

    Egzon Mullarama është bashkëshorti i drejtoreshës së Drejtorisë për Administratë në komunën e Pejës, Nita Panduri Mullarama.

    Drejtoresha e Administratës, Nita Panduri Mullarama, në profilin e saj në Facebook ndanë momente të ndryshme me bashkëshortin.

    “Shumë urime për gjysmën tjetër të shpirtin tem, te dua”, shkruan drejtoresha, teksa shihet në foto me burrin e saj, Egzon Mullarama.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me drejtoreshën e Drejtorisë për Administratë në komunën e Pejës, Nita Panduri Mullarama, se a ka pasur ndonjë ndikim që të pranohet bashkëshorti i saj , Egzon Mullarama. Mirëpo ajo ka mohuar një gjë të tillë.

    Panduri Mullarama tha se bashkëshorti i saj nuk është punësuar ende. Kjo pasi që 30 ditë është i hapur afati për ankesa.

    Mirëpo siç tha ajo, bashkëshorti i saj i ka përmbushur standardet e konkursin. Duke shtuar se për këtë pozitë nuk kanë aplikuar asnjë person tjetër, dhe Egzon Mullarama ka aplikuar tri ditë pa u mbyllur konkursi.

    “Egzon Mullarama nuk është punësuar ende, përndryshe edhe nëse punësohet, është nder te vetmit qe ka aplikuar ne ate pozite. Konkursi ka qene i hapur 30 dite dhe te drejte aplikimi kane pasur te gjithë personat qe i mbushin standardet! Personi i lartëcekur, ka aplikuar 3 dite pa u mbyllur konkursi kështu që asnjë person nuk është stepur qe te aplikoj per shkak te aplikimit te personit ne fjale! Kur ka qene afër dështimit te konkursit ka aplikuar personi ne fjale! Nëse do te ishte konkursi me 10-20 aplikantë atëherë ndoshta ju mund te gjykonit që do te ndikonte pozita ime por Jo”, tha Nita Panduri Mullarama për Insajderin.

    Një ditë pas kësaj, me 24 gusht, janë shpallur kandidatët fitues të konkursit për pozitën “Zyrtar i Lartë për Çështje Pronësore”.

    Në këtë konkurs janë shpallur dy kandidatë fitues.

    Kandidatja e dytë fituese është Elodijana Mujaj Spahija.

    Elodijana është zgjedhur fituese e dyta në radhë, me 83.4 pikë.

    Edhe për këtë konkurs ka afat 30 ditor për ankesa, në rast të kësaj ka mundësi që të anulohet konkursi, përndryshe kandidatët fitues, pranohen zyrtarisht në pozitën e cekur.

    Elodijana Mujaj Spahija është motra e drejtoreshës për Mirëqenie Sociale në komunën e Pejës, Albulena Mujaj Bajraktaraj.

    Në profilin e saj Elodijana Mujaj Spahija, ka publikuar foto ku shihet përkrahë motrës së saj, pra drejtoreshës për Mirëqenie Sociale në Pejë.

    Në mbishkrimin e fotos Elodijana kishte shkruar, “Krah për krah ose me milje larg njëra-tjetrës motrat do të jenë gjithmonë të lidhura nga zemra”.

    Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me drejtoreshën për Mirëqenie Sociale në komunën e Pejës, Albulena Mujaj Bajraktaraj, se a ka pasur ndonjë ndikim që të përzgjedhet motra e saj, Elodijana Mujaj Spahija, por e njëjta deri në publikimin e këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje.

    Poashtu Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Pejës, se a ka pasur ndonjë konflikt interesi që të përzgjedhen dy kandidatët në këto pozita. Por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje. / Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark