Lumezi: Jemi të gatshëm për trajtimin e rasteve të viktimave të krimit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Lumezi: Jemi të gatshëm për trajtimin e rasteve të viktimave të krimit

    Insajderi
    17 October 2016 - 15:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se Zyra e tij ka gatishmërinë dhe përkushtimin e tij ligjor për trajtimin e rasteve të viktimave të krimit. Ai ka thënë se moszbulimi i autorëve të krimit sjell pasoja negative si për shtetin ashtu edhe për viktimat e krimit.

    “Pavarësisht nga simbolika e kësaj dite, drejtësia dhe rimëkëmbja e viktimave të krimit nuk është një veprimtari përkujtimore, por duhet të jetë një detyrë e përhershme e institucioneve të drejtësisë dhe e shtetit të Kosovës, që në mënyrë të paevitueshme tregon suksesin apo dështimin e tij në fushën e sundimit të ligjit”, ka thënë kryeprokurori Lumezi me rastin e shënimit të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.

    Të drejtat e viktimave të krimit, sipas tij, janë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës.

    “Me plot të drejtë mund të them se viktimat e krimit ngadalë, por sigurt po depërtojnë në sistemin e të drejtave të njeriut, po bëhen objekt primar i të drejtës vendore si dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës”, ka thënë Lumezi, duke shtuar se kjo nuk do të ishte e mundshme pa përkrahjen e vazhdueshme që kemi pas nga Ambasada e SHBA në Kosovë.

    Ai ka thënë se Prokurori i Shtetit ka gatishmërinë dhe përkushtimin e tij ligjor për trajtimin e rasteve të viktimave të krimit me prioritet përmes Zyrës për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave, si dhe në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës ka caktuar prokurorët përgjegjës që do të merren me trajtimin e kësaj kategorie të ndjeshme të viktimave.

    Lumezi tha se të gjithë prokurorët do të ushtrojnë autoritetin e tyre për të respektuar të drejtat e viktimave, për t’i trajtuar ato me dinjitet dhe për t’u kujdesur për realizimin e të drejtave të tyre, duke përfshirë edhe të drejtën e kompensimit të dëmit të shkaktuar me vepër penale dhe rehabilitimin e tyre.

    Kjo drejtësi dhe rimëkëmbje e viktimave të krimit, sipas Lumezit arrihet vetëm nëse kemi një sistem të efektshëm prokurorial me procedim të lëndëve në një afat të arsyeshëm kohor.

    “Është e vështirë të flitet për drejtësi dhe rimëkëmbjen e viktimave pa ndëshkimin e krimit. Moszbulimi i autorëve të krimit sjellë pasoja negative si për shtetin ashtu edhe për viktimat e krimit. Në këto raste, fajtorët jo vetëm se i shpëtojnë ndëshkimit penal por edhe ju shtohet “oreksi” për të kryer vepra tjera penale, sepse krimi i cili nuk ndëshkohet mund të përsëritet”, ka thënë ai.

    Për të realizuar ndëshkimin e krimit, Lumezi thotë se është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë të udhëhiqen nga njerëzit me moral të lartë profesional dhe personal.

    “Këto raste duhet t’i trajtoni me prioritet sepse vendosja e shpejtë dhe e drejtë e parandalon krimin dhe u jep shpresë viktimave, kurse vendosja e ngadalshme dhe e gabuar e lejon vazhdimin e frikës dhe përsëritjen e dhunës”, ka thënë ndër tjera kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    17 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark