Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, gjatë prezantimit të punës një vjeçare të këtij institucioni, ka deklaruara se prokurorët kanë treguar efikasitet duke zgjidhur mijëra dosje penale, ndërkohë që i kanë kushtuar vëmendje të posaçme luftimit të korrupsionit si kriter për liberalizimin e vizave.
Në këtë drejtim sipas Lumezit, gjatë vitit të kaluar janë trajtuar 35 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë dhe për 26 nga to ka ngritur aktakuza, ndërsa lëndët e tjera tha se janë në fazën e hetimeve.
“Kemi hetuar dhe ngritur akuza për herë të parë për 3. ministra në detyrë, 1.ish ministra, 1.deputetë, 4.kryetarë të komunave,1. Zvkryetar komune, 2.ish kryetarë të komunave, 1. kryetar Gjykate, 1. Gjyqtarë, 1 prokuror, 2. policë dhe shumë zyrtarë të tjerë publik”, tha Lumezi në një konferencë me gazetarë.
Lumezi tha se në përgjithësi prokurorët gjatë vitit 2016 kanë zgjidhur gjithsej 63 mijë e 55 lëndë të natyrave të ndryshme, apo 20 mijë e 782 lëndë më shumë se një vit më herët.
Sa i përket luftës kundër terrorizmit, Lumezi tha se në bashkëpunim edhe me institucione tjera si policia, AKI-a dhe partnerët ndërkombëtar, kanë pranuar 37 raste prej të cilave thotë se janë zgjidhur 28 raste me 66 persona.
Departamenti për krimet e luftës, që së fundmi ka marrë në kompetencë zgjidhjet e këtyre rasteve nga EULEX-i sipas Lumezit, hetimet janë pushuar në 33 raste, ndaj 47 persona. Ndërsa ndaj 17 personave është hudhë kallëzimi penal, kurse për 5 persona është ngritur aktakuza dhe kanë filluar seancat gjyqësore për krime lufte.
Kryeprokurori Lumezi ka përmendur edhe largimin e uzurpatorëve të pronave shoqërore, për të cilët tha se janë ngritur 8 aktakuza. Ndërsa Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV) ka ofruar shërbime për viktimat e krimit në gjithsejt 1355 raste nga të cilat kanë dominuar rastet e dhunës në familje dhe të trafikimit me qenie njerëzore.
Lumezi duke e vlerësuar punën e prokurorëve të shtetit gjatë vitit 2016, ka kërkuar rezultate më të mira dhe paraqitje më të mirë profesionale në hetimin dhe përfaqësimin e akuzave para gjykatave. /Insajderi.com