“Lumiri e ktheu në trendin më të madh historik ngritjen e LDK’së” Kica-Xhelili e quan qesharake kërkesën e Hotit për lidership të ri - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Lumiri e ktheu në trendin më të madh historik ngritjen e LDK’së” Kica-Xhelili e quan qesharake kërkesën e Hotit për lidership të ri

    Insajderi
    18 March 2025 - 14:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili e ka quajtur kërkesën e Avdullah Hotit “qesharake”. Anëtari i LDK’së Avdulla Hoti lëshoi një deklaratë “drithëruese” kundër udhëheqjes së LDK’së. Sipas tij, partia e cila doli e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit ka nevojë për “lidership të ri”, shkruan Insajderi.

    Kica-Xhelili tha për Insajderin se struktura e LDK’së mbështet fuqishëm kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku.

    Sipas saj, Abdixhiku ka bërë ngritje historike të partisë, në 70 për qind.

    “Si nënkryetare e LDK, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12%, dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, ka thënë Kica-Xhelili.

    Gazeta Insajderi ka provuar gjatë ditës të marr edhe nga një koment nga nënkryetarët e tjerë të partisë, por nuk janë përgjigjur.

    Anëtari i Kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se partia ka nevojë për lidership të ri, teksa u shpreh se në katër vitet e fundit, lidershipi aktual është angazhuar për ristrukturim të partisë në degë, por shtoi se “jo në pak raste kjo është bërë në mënyrë selektive”.

    Ai ka thënë se rezultati zgjedhor i LDK-së nuk është i kënaqshëm e as i përafërt me atë që kemi shpresuar “pas katër vitesh përgatitje”.

    “Prandaj, për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri. Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK. LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja. LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë. LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë” ka shkruar Hoti në Facebook.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark