
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën se BE-ja është në një përballje me Rusinë, ndërsa udhëheqës nga e gjithë Evropa u takuan në Kopenhagë për dy samite të fokusuara në sigurinë, mbrojtjen dhe luftën në Ukrainë, pas një sërë incidentesh me dronë në aeroportet dhe bazat ushtarake daneze gjatë javës së fundit.
“Ne jemi në një përballje me Rusinë, e cila për disa vite ka qenë një lojtare shumë agresive në hapësirën tonë të informacionit”, ka thënë Macron.
Ministria e mbrojtjes e Danimarkës ka thënë se një sistem radari preciz është ngritur në aeroportin e Kopenhagës për të ndihmuar në mbikëqyrjen. Dronë të paidentifikuar detyruan mbylljen e aeroportit një javë më parë, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në trafikun ajror.
Franca, Gjermania, Holanda, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dërguar gjithashtu avionë, anije dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
Forcat e armatosura të Ukrainës kanë dërguar një mision në Danimarkë për ushtrime të përbashkëta, duke ndarë përvojën e tyre në luftimin e dronëve rusë.
Disa dronë rusë fluturuan në hapësirën ajrore të Polonisë më 10 shtator. Avionët e NATO-s u ngritën në ajër dhe disa nga dronët u rrëzuan.
Ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Moskës që kur Rusia nisi luftën e saj në Ukrainë më 24 shkurt 2022.
Shkelje të hapësirave ajrore u raportuar ditët në vijim edhe nga vendet e tjera lindore të BE-së, si Estonia, Rumania, e po ashtu edhe vendet skandinave, Norvegjia e Danimarka.