Franca vijon të zhytet edhe më thellë në një ngërç politik që mund të sjellë kaos në vend. Presidenti Emmanuel Macron thotë se nuk do të pajtohet me një qeveri të drejtuar nga të majtët e aleancës së Frontit të Ri Popullor, parti e cila fitoi shumicën në zgjedhjet legjislative të muajit të kaluar.
Shefi i Elizesë kërkon stabilitet institucional dhe pretendon se e majta nuk mund të fitojë votëbesimin në Parlament. Fronti i Ri Popullor, që propozoi nëpunësen civile të panjohur Lucie Castets si kandidate për kryeministre, ka bërë thirrje për demonstrata masive kundër vendimit të Presidentit, ndërsa kërkojnë shkarkimin e Macron.
Refuzimi i kandidates e çon Francën në pikën zero. Për këtë, Macron njoftoi se do të zhvillojë konsultime të reja me liderët e partive dhe i bëri thirrje të majtës që të bashkëpunojë me forcat e tjera politike. Partia e Presidentit rezultoi forcë e dytë në zgjedhjet e korrikut. Asnjë grupim politik nuk ishte në gjendje të fitonte një mazhorancë të plotë, me Frontin e Ri Popullor që mori 190 deputetë, partinë e Macron 160 ulëse dhe Frontin Kombëtar me 140 ligjvënës në Parlamentin e ri.
Franca po drejtohet nga një qeveri e përkohshme, përfshirë dhe gjatë Lojrave Olimpike të Parisit, gjë e cila zemëroi tej mase të majtët. “Socialistët, të gjelbrit dhe komunistët nuk kanë propozuar mënyra për të bashkëpunuar me partitë e tjera”, theksoi Macron në refuzimin e të majtëve për qeverinë e re. Ensemble dhe Fronti Kombëtar kanë njoftuar se do të kundërshtojnë me votë propozimet e së majtës.