×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Macron shpërndan kuvendin, fiton e djathta në Francë

    Insajderi
    09 June 2024 - 22:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shpërndarë Parlamentin dhe ka shpallur zgjedhje të parakohshme pas fitores së madhe të partisë së djathtës ekstreme në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

    Sondazhet në Francë kanë treguar që lista e partisë së Marine Le Pen-it, Marshi Kombëtar, e udhëhequr prej Jordan Bardellas, ka dalë e para, me mbi 30 për qind të votave.

    Kjo parti nuk ka shënuar asnjëherë më parë një rezultat kaq të lartë.

    Lista e partisë së Macronit, Rilindja, e udhëhequr prej Valerie Hayer, ka dalë e dyta me 15.2 për qind të votave.

    Dalja në këto zgjedhje në Francë ka qenë rreth 51 për qind, pak më shumë se më 2019 – 50.12 për qind.

    Macron ka thënë se rezultatet kanë qenë katastrofike për Qeverinë e tij, dhe nuk mund të injorohen.

    Ai ka thënë rundi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 30 qershor, ndërsa rundi i dytë më 7 korrik.

    Zgjedhjet do të mbahen në kohë jo shumë të favorshme, pasi Parisi është duke kryer përgatitjet e fundit për Lojërat Olimpike Verore që këtë herë mbahen në Francë.

    Partitë e së djathtës ekstreme duket se kanë shënuar rritje të konsiderueshme edhe në Gjermani e Austri.

    Kështu, këto vende i bashkohen Holandës, çka jep shenjat e para se kthimi kah e djathta do të ndodhë në këtë institucion të BE-së.

    Partia e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (EPP) pritet të jetë sërish grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, dhe që kandidatja e tij, Ursula von der Leyen të ketë edhe një mandat në krye të BE-së.

    Megjithatë, asaj do të mund t’i duhet mbështetja e nacionalistëve të krahut të djathtë, sikurse ajo e partisë italiane, Vëllezërit e Italisë, e kryeministres italiane, Giorgia Meloni për të siguruar shumicën në Parlament.

    Votimet për Parlamentin Evropian kanë nisur të enjten në Holandë dhe në disa shtete tjera të premten dhe të shtunën, por pjesa më e madhe e banorëve të BE-së kanë votuar të dielën.

    Parlamenti Evropian voton për legjislacione që janë kyçe për qytetarët dhe bizneset në bllokun me 27 vende anëtare./REL

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark