Madona akuzon Trumpin për shkelje të të drejtave të komunitetit LGBTQ – Insajderi
×
  • Showbiz
  • Show

    Madona akuzon Trumpin për shkelje të të drejtave të komunitetit LGBTQ

    Insajderi
    30 January 2025 - 16:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këngëtarja e njohur amerikane, Madonna, ka reaguar kundër administratës së presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke kritikuar kufizimet e të drejtave të komunitetit LGBTQ+. Ajo u ka bërë thirrje të “mos heqin dorë nga lufta”.

    Këngëtarja ka shpërndarë mesazhin e saj në rrjetin social X.

    “Është kaq e trishtueshme të shohësh Qeverinë tonë të re duke shkatërruar ngadalë të gjitha liritë që kemi luftuar dhe fituar gjatë viteve. Mos hiqni dorë nga lufta!”, ka shkruar ajo.

    Madonna, që ka numër të madh ndjekësish nga komuniteti LGBTQ+, është nderuar me çmimin “Advocate for Change Award” nga ngjarja e ndarjes së çmimeve “GLAAD Media Awards” në vitin 2019 për angazhimin e saj aktiv.

    “Female First” ka shkruar se ajo ka mbështetur gjithmonë kauza të rëndësishme, përfshirë ngritjen e ndërgjegjësimit për sëmundjen HIV/AIDS gjatë viteve ‘80, një kohë kur virusi konsiderohej “sëmundje e homoseksualëve”.

    Sarah Kate Ellis, presidentja dhe shefja ekzekutive e “GLAAD”, ka komentuar për vendimin e Trumpit për të mos lejuar shërbimin ushtarak për transgjinorët.

    “Një numër i madh transgjinorësh tashmë shërbejnë me nder në ushtri dhe e bëjnë atë më të sigurt dhe më të fortë. Deklaratat e pasakta dhe retorika e administratës Trump janë të papërshtatshme dhe diskriminuese, duke e bërë vendin tonë më të pasigurt”, ka thënë ajo.

    Kritika ndaj administratës Trump erdhi pas një reagimi emocional nga aktorja e njohur Selena Gomez, e cila shpërndau një video ku ajo shprehte trishtimin për planet e dëbimit të Trumpit dhe arrestimin e pothuajse 1,000 personave në Shtetet e Bashkuara.

    “Më vjen kaq keq. Të gjithë njerëzit e mi po sulmohen. Fëmijët. Nuk e kuptoj. Më vjen shumë keq, do të doja të mund të bëja diçka, por nuk mundem”, ka thënë Gomez.

    Ky reagim erdhi pas një serie urdhrash ekzekutivë që Trump ka nënshkruar, të cilët i japin më shumë fuqi autoriteteve të sigurisë për të arrestuar dhe mbajtur migrantët që ndodhen në mënyrë të paligjshme në SHBA.

    Selena ka qenë gjithashtu shumë e hapur lidhur me historinë e familjes së saj, e cila ka kaluar kufirin nga Meksika ilegalisht, por, siç ka thënë ajo, “punuan shumë për të fituar shtetësinë amerikane”.

    Ajo ka theksuar rëndësinë e emigracionit, përmes një eseje që pati botuar në revistën Time në vitin 2019.

    “Nuk pretendoj të jem eksperte. Nuk jam politikane, nuk jam mjeke dhe nuk punoj në sistem, por duhet të kujtojmë se vendi ynë është formuar nga njerëz që erdhën këtu nga vende të tjera”, pati shkruar ajo.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark