
Madonna mbajti një profil të ulët gjatë një daljeje të rrallë publike në Londër, ku u pa në stadiumin “Stamford Bridge” për të ndjekur ndeshjen Chelsea–Liverpool, në shoqërinë e të dashurit të saj, Akeem Morris.
Mbretëresha e Popit, 67 vjeçe, dhe partneri i saj 29-vjeçar u përzien me turmën e tifozëve, ndërsa mbështesnin ekipin londinez që doli fitimtar me rezultatin 2-1.
E veshur me një pallto të zezë dimërore, Madonna kishte hequr dorë nga pamja e saj e zakonshme glamuroze për një paraqitje më të thjeshtë e diskrete, ndërsa Akeem qëndronte pranë saj, shkruan DailyMail.
Dyshja janë parë më parë në ndeshje të Chelseat, ndërsa lidhja e tyre u bë publike në korrik 2024, pas disa muajsh spekulimesh. Ata njihen që prej vitit 2022, kur pozuan bashkë për revistën Paper.
Paraqitja e fundit e këngëtares vjen pasi ajo zbuloi se kishte kaluar një sëmundje kërcënuese për jetën që e çoi në kujdes intensiv për katër ditë.
Në një intervistë për podcastin On Purpose të Jay Shetty-t, Madonna tregoi se kishte pësuar një infeksion bakterial që u shndërrua në sepsë gjatë përgatitjeve për turneun “Celebration Tour”.
Ajo u shpreh se periudha e rikuperimit ishte e vështirë, por se ndihet mirënjohëse për shërimin dhe mbështetjen e fansave, duke theksuar: “Mendimi im i parë kur u zgjova në spital ishin fëmijët e mi dhe i dyti, që nuk doja të zhgënjeja askënd që më besoi”.
Tashmë, dy vjet pas incidentit, Madonna duket në formë të mirë, duke u rikthyer gradualisht në jetën publike dhe artistike.