Njëra nga Ministritë në kuadër të Qeverisë Kurti e cila erdhi në pushtet në mars të vitit 2021, është edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në krye me Liburn Aliun. Mirëpo edhe pse kemi hyrë në vitin 2023, nuk u panë realizime të premtimeve nga kjo Ministri. Ministria e Infrastrukturës, që nga marrja e pushtetit, ka premtuar për rregullimin e dy rrugëve të cilat ka vite të tëra që janë të lëna në gjysmë.
Kemi hyrë në vitin 2023, derisa Magjistralja Podujevë-Prishtinë dhe Autostrada Gjilan-Prishtinë, kanë mbetur ende në gjysmë dhe nuk ka ndonjë afat se kur do të përfundojnë.
Në janar të vitit 2022 Aliu kishte premtuar se porsa të përmirësohen kushtet klimatike, brenda 30 ditësh do të përfundojnë punimet e segmentit të dytë.
“Kemi pritur t’i përfundojmë punimet brenda këtij viti, por për shkak të motit të ligë nuk mund të kryhen punimet. Në momentin që hapet mundësia me kushtet klimatike, brenda një 30-ditëshi mund të realizohen finalizimet e të gjitha punimeve. Ka pasur probleme të shumta të natyrave teknike edhe kontraktuale dhe ka probleme të tjera për të cilat duhet të merremi një për një dhe t’i zgjidhim. Po ashtu, ka probleme edhe te shpronësimet. Ka pasur tender për rrënimin e urës, por nuk ka pasur tender për t’u ndërtuar ura. Anomali të tilla e kanë përcjellë jo vetëm këtë projekt, por edhe projekte të tjera”, kishte thënë ai, mirëpo tashmë po hyjmë në vitin 2023 dhe magjistralja Podujevë -Prishtinë mbetet e njëjtë.
Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, pasi të paktën tri herë dha afate se brenda dy muajsh do të përfundonte rruga Podujevë-Prishtinë, kishte thënë se nuk do të jap më asnjë afat. “Jam sos prej qumështit edhe tash po i fryjë edhe kosit”, tha Aliu.
Kolonat e gjata janë bërë më se të zakonshme në këtë rrugë, punimet në të cilën janë duke u zvarritur tash e 6 vite prej kur kanë nisur. Për më tepër, jo vetëm që nuk kanë vazhuar punimet, ani pse Ministri Liburn Aliu qysh në fillim të vitit thoshte se brenda 2 muajsh do të përfundoj rruga, edhe më të rënduar kalimin në të e kanë bërë disa pengesa.
Afër shkollës në fshatin Besi, janë vendosur pengesat të cilat e kanë ngadalësuar vozitjen duke shtuar kolonën, shkruan Insajderi.
Një zgjidhje e shpejtë e këtij problemi nuk duket se do të ketë zgjidhje të shpejtë, ndërsa ministri Aliu po i fryn kosit. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu në komision parlamentar duke folur për këtë rrugë deklaroi se ende nuk është bërë as tenderimi.
Ai pati thënë se nuk guxon më të bëjë premtime sepse sipas Aliut, i kanë dalur 100 mijë telashe.
“Jam sos prej qumështit edhe tash po i fryjë edhe kosit”, tha Aliu.
Ministri Aliu, para anëtarëve të komsionit tha se një nga pengesat më të mëdha ka qenë elaborate I shpronësimit.
“Një nga problemet ka qenë elaborati i shpronësimit për rrugën për Podujevë, këtë e kemi kry. Tash duam ta hedhim në tender komplet rrugën. Prej Lluzhanit deri në Bërrnicë. Meqenëse është viti i parë po përpiqemi që tenderin ta fillojmë këtë vit. Është kërkesë ambicioze por shpresoj që e realizojmë”, tha Ministria Aliu.
Ministri Liburn Aliu, kohë më parë gjatë raportimit para Komisionit për Mjedis të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se për dikasterin që udhëheq për vitin 2023 janë ndarë 251 milionë e 684 mijë e 833 euro.
“Koncentrimin e projektit 2023 e kemi bërë kryesisht në projekte madhore, të cilat duhet të përfundojnë në ato segmente të koncentruara gjatë vitit 2023. Autostrada Prishtinë-Gjilan-Konçul për vitin 2023 janë të planifikuara 27 milionë euro, në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 5 milionë euro, zgjerimi i rrugës Dollc-Gjakovë në planifikimin e vitit 2023 janë paraparë 11 milionë euro, në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 2.25 milionë euro, ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro, ndërsa kanë qenë 1. 1 milionë euro. Riparimi rrugës rajonale Prizren-Prevallë janë 6 milionë euro për vitin 2023, kanë qenë 2 milionë euro në vitin 2022. Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Pejë, kanë qenë 400 mijë euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 i kemi ndarë 4 milionë euro”, tha ai me këtë rast.
Me fjalë të tjera, Ministria e Infrastrukturës ka para, por nuk ka vullnet as politik që të finalizohet kjo rrugë, dhe njëherë e mirë të zgjidhet problemi i madh për Llapin. Ndërsa, rruga Podujevë-Prishtinë, vazhdon të mbetet ankthi i madh i llapjanëve, i banorëve të këtyre trevave, bizneseve të kësaj ane dhe udhëtarëve të çdoditshëm që frekuentojnë këtë rrugë, e që janë të shumtë, ndër ta edhe kosovarët mërgimtarë. Të gjithë këta do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e zvarritjes së zgjerimit të kësaj rruge.
Do të vuajnë nga vështirësitë që u dalin si pengesë e pazgjidhshme për shkuarje-ardhjen në kryeqytet, me të cilin janë aq shumë të ndërlidhur, nga vështirësitë që u shkakton rruga tepër e ngarkuar me qarkullim për të transportuar lëndën e parë dhe pastaj produktet nga bizneset e tyre, por edhe nga vështirësitë që ua kanë shkaktuar tash e një kohë kompanitë ndërtuese në dëmtimin e tubacioneve të ujësjellësit, që asnjëherë më pastaj nuk i kanë riparuar.
Problem shumë i ndjeshëm nga zvarritja e zgjerimit të kësaj magjistraleje dhe rrezik permanent, kjo rrugë është edhe për nxënësit e shumë shkollave të kësaj ane. Dhe, pa zgjerimin e tërësishëm të rrugës në tërë gjatësinë e saj prej afërsisht 30 kilometrash, sikundër që është bërë tashmë në gjatësinë Podujevë-Lluzhan, nuk ka zgjidhje të problemit. Pa zgjerimin e planifikuar të rrugës edhe më tutje do të ketë aksidente, edhe më tutjedo të ketë viktima. Prandaj, tashmë janë bërë aq ‘bajate’ dhe të pa pranueshme, arsyetimet e MMPHI-së për pengesat rreth shpronësimeve gabimet në projektet kryesore dhe mospagesa të pronave me kohë, përkatësisht shpronësimeve të deritashme si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këto projekte.
Tashmë vetëm për një fakt dihet saktësisht rreth magjistrales Podujevë-Prishtinë. Dihet, pra se dita ditës po shtohen aksidentet tragjike, viktimat e reja të aksidenteve enorme numerikisht, si pasojë e ngulfatjes së kësaj rruge në shumë pika të saj, nga trafiku i dendur dhe nga qarkullimi i madh i automjeteve dhe udhëtarëve në këtë rajon të vendit. Rruga duhet ndërtuar. Dhe duhet gjetur paratë e nevojshme për finalizimin e kësaj magjistraleje.
Këto para nuk janë edhe aq shumë sa të mos ketë asnjë mundësi Kosova që t’i sigurojë ato. Dy-tre kilometra të autostradave të deritashme, që Kosova i ndërtoi me mjete të veta, pra me paratë e taksapaguesve të vendit, kaq, pak a shumë është kostoja e kësaj rruge. Ndërsa, vështirësitë, qofshin edhe fakte, që në disa raste vazhdojnë t’i potencojnë zyrtarët, kanë qenë të ditura edhe para se të fitojë pushtetin koalicioni aktual qeveritar. Premtimet, duhet përmbushur. Dhe përmbushja ka një emër: të përfundojnë dhe të finalizohen të gjitha projektet rrugore të reja dhe ato të trashëguara nga pushtetet e mëparshme. Mosrealizimi i premtimeve është edhe zvarritja e pafund e finalizimit të magjistrales Prishtinë-Podujevë.
Ministria e Infastrukturës ka dështuar jo vetëm në magjistalen Podujevë-Prishtinë, por edhe në autostradën Gjilan-Prishtinë, e cila poashtu është ende e lënë në gjysmë.
Punimet në autoudhën Prishtinë – Gjilan janë të kontraktuara me 8 operatorë ekonomik, ose një operator ekonomik është punëkryes në një lot, kur dihet se ky segment rrugor është i ndarë në 8 lote. Në mbikëqyrje të ndërtimeve, siç kishin thënë zyrtarët nga MMPHI, për Buletinin Ekonomik në shkurt të 2022, janë të caktuar menaxherët e vet ministrisë.
Në këtë ministri kishin thënë se sektorët përkatës që janë të ngarkuar në Qeverinë Kurti 2, vlerësojnë se ky projekt duhet të përfundojë në bazë të kontratave që operatorët ekonomik kanë me MMPHI-në. Po kështu, në ministri mendojnë dhe parashikojnë ta përfundojnë projektin në tërësi ndërsa se kur mendohet të përmbyllen të gjitha punët, pra të finalizohet autostrada Prishtinë – Gjilan, në MMPHI kanë thënë shkurt se “punët do të përmbyllen pasi që të eleminohen të gjitha pengesat e sipërcekura”.
Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan para 4 muajve kanë publikuar një listë me plot 17 “dështimet” e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, ku bënë pjesë edhe Autostrada e Gjilanit, shkruan Insajderi.
“Nga marrja e mandatit dhe është zhgënjyese për LDK-në dhe për qytetarët që qeveria komunale nuk e ka nisur e vazhduar as edhe një nga këto projekte që kanë qenë të gatshme për implementim, e lëre më për projekte të reja as që bëhet fjalë”, thuhej në postimin e LDK-së, dega në Gjilan.
Sipas tyre, nuk ka interesim tek projektet zhvillimore duke vënë theks në atë të stadiumit të qytetit, hyrje-daljet Gjilan-Bujanoc dhe Gjilan – Prishtinë, Impitanti për trajtimin e ujërave të zeza, projekti i ujërave të bardha, Fshati i Lumtur, Tregu i Gjelbër dhe të gjitha llojet e tregjeve.
“Mos interesimi për projektet zhvillimore të Gjilanit, në veçanti për Stadiumin e qytetit, hyrje-daljet Gjilan-Bujanoc dhe Gjilan – Prishtinë, Impitanti për trajtimin e ujërave të zeza, projekti i ujërave të bardha, Fshati i Lumtur, Tregu i Gjelbër dhe të gjitha llojet e tregjeve etj., neve na bënë të shqetësuar për shkak se Gjilani nga qendra e investimeve më të mëdha publike që financohen nga institucionet ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës, ka rrëshqitur në një depresion të thellë politik e ekonomik”, thuhej më tutje në postim/Insajderi/.