Një punëtor i mishtores “Vëllezërit Neziraj” në Deçan po dyshohet se ka këputur shuplakën e dorës përderisa ishte duke punuar. Këputja dyshohet të i jetë shkaktuar nga makina e bluarjes së mishit. Detaje për rastin për Insajderin ka dhënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Nikçi konfirmoi se hetimet tanimë kanë filluar e se me rastin janë duke u marrë Policia e Kosovës e Inspektorati.
“Lidhur me këtë çështje është autorizuar Policia e Kosovës dhe njëkohësisht Inspektorati i Punës që të merren me veprimet e nevojshme, njëkohësisht raportet që korrespondojnë të gjeturat të sjellën në prokurori dhe jemi duke i zhvilluar hetimet me ç’rast është iniciu vepra penale “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë vendin e punës”, tha Nikçi për Insajderin.
Pas rastit, punëtori është dërguar në Emergjencën e Deçanit. Për shkak të gjendjes serioze, viktima është transportuar më pas në Spitalin e Pejës, por ka vazhduar për në QKUK, si pasojë e lëndimit të rëndë.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje për gjendjen e tij shëndetësore por deri tani nuk ka pranuar përgjigje.
Deri tani as nga mishtorja nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë.
/GazetaInsajderi