Slobodan Vujiçiq, kryetar i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, tha se fillimisht do të duhej që të ratifikohet marrëveshja për vijën kufitare me Malin e Zi, e pastaj të bëhen matje- nëse janë bërë gabime.
Vujiçiq e bëri këtë deklaratë gjatë tryezën e organizuar pikërisht për çështjen e demarkacionit.
“Ne në të vërtetë, ne mendojmë se është e rëndësishme që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe pas kësaj të dy shtetet të krijojnë një komision që të bëjnë sërish matjet e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi për të shikuar nëse është bërë ndonjë lëshim”, tha Vujiçiq transmeton Insajderi.
Ai thotë se zgjidhja e kësaj çështje nuk duhet të jetë temë politike pasi Podgorica ka shprehur gatishmërinë që edhe njëherë të bëhet matja nëse është e nevojshme.
Nga ana tjetër Shpejtim Bulliqi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kundërshtues i versionit aktual të marrëveshjes me Malin e Zi, tha se komisioni shtetëror i ka shkelë të gjitha procedurat e parapara në kushtetutën e vendit.
“Gabimet që ka bërë komisioni shtetëror ka qenë në tre aspekte: Të së Drejtës Ndërkombëtare (Metodologjia ka qenë e gabuar), aspektin hartografik, dhe njëkohësisht tek kriteri bazë ai kadastral”, tha Bulliqi.
Ismajl Kurteshi, deputeti i Vetëvendosjes tha se janë të interesuar që të gjejnë zgjidhje për demarkacioni pasi janë pro tij e kundër “pazareve të qeverisë”.
“Kufiri duhet të vendoset me fakte. E fakte që kufiri nuk është aty ku ka qenë ka sa të dush. Nuk jemi të gatshëm që të japim asnjë pëllëmbë tokë për Malin e Zi, secili në territorin e vet”, tha Kurteshi.
Kurse Shaip Muja nga PDK, u ka bërë thirrje partive opozitare të paraqesin faktet në tryezën e 3 gushtit. Ai kërkoj rekomandime para se marrëveshja të shkoj në ratifikim të plotë.
“Ne nuk kemi material zyrtarë dhe të gjithë po krijojmë hamendësime pa e ditur saktë për çka po bëhet fjalë”, deklaroi Muja. /Insajderi.com