Partia Demokratike e Socialistëve është duke u përballur me grupet opozitare pro-ruse dhe pro-serbe të cilat fuqishëm kanë kundërshtuar anëtarësimin në NATO dhe rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri pro-perëndimor, Milo Gjukanoviq, që ka udhëhequr me shtetin si president por dhe si kryeministër për më shumë se 25 vjet, po përballet me sfidën e tij më të madhe politike.
“Të gjithë janë të vetëdijshëm se fati i shtetit do të vendoset…. nëse Mali i Zi do të bëhet anëtar i BE-së dhe NATO-s apo do të bëhet koloni ruse”, ka thënë Gjukanoviq, në një tubim zgjedhor më 14 tetor.
Vendvotimet në mbarë Malin e Zi janë hapur në orën 7:00 dhe pritet të mbyllen në ora 20:00, raporton Radio Evropa e Lirë.
Rreth 530 mijë malazezë me të drejtë vote, do të votojnë për gjithsej 17 pjesëmarrës, nga të cilët 13 parti politike dhe 4 koalicione.
Sondazhet e fundit thonë se partia e Gjukanoviqit do të fitojë shumicën në parlamentin malazez. Sidoqoftë, nëse nuk fiton vende të mjaftueshme nga 81 sa janë në parlament, atëherë ai mund të përballet me vështirësi në formimin e një kolaicioni qeverisës.
Fronti Demokratik, një grup opozitar pro-rus ka organizuar protesta kundër anëtarësimit në NATO.
Strahinja Bulajiq, një zyrtar i kësaj partie, i ka thënë AFP-së se nëse partia e tij fiton atëherë “ne do të heqim sanksionet kundër Rusisë dhe do të krijojmë marrëdhënie më të ngushta ekonomike dhe politike me Moskën”. /Insajderi.com