Mali i Zi: S’ka ri-negocim të marrëveshjes për demarkacionin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mali i Zi: S’ka ri-negocim të marrëveshjes për demarkacionin

    Insajderi
    03 August 2016 - 09:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autoritetet e Malit të Zi kanë ritheksuar se nuk do ta ri-negociojnë procesin e Demarkacionit ndërkohë që institucionet e Kosovës po vazhdojnë të kërkojnë mënyra për ta ratifikuar marrëveshjen e arritur vitin e kaluar për kufirin me Malin e Zi.

    Anëtari i Këshillit të politikës së jashtme të Parlamentit të Malit të Zi Nikollë Gegaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Mal të Zi “nuk po shqyrtohet mundësia e përkufizimit të sërishëm të vijës kufitare me Kosovën”.

    Ai ka bërë të ditur se marrëveshja për Demarkacionin e nënshkruar nga nivelet më të larta të të dyja shteteve dhe në praninë e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, ka mbetur që të ratifikohet nga pala e Kosovës.

    “Nuk besoj që do të bëhet rivlerësimi i asaj që është nënshkruar dhe miratuar nga ana e Komisioneve që kanë kryer punë të mirë si dhe të qeverive të të dyja vendeve. Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar marrëveshjen prandaj edhe pritet që shteti mik Kosova ta bëjë të njëjtën“, ka thënë Gegaj, duke rikujtuar se edhe presidenti amerikan, Barack Obama në takim me ambasadoren e Kosovës në Uashington e ka përkrahur ratifikimin e marrëveshjes.

    Gegaj thotë se “ajo që është bërë mund të shërbejë si një model i bashkëpunimit për të tjerët në rajon dhe njëkohësisht dërgohet edhe një porosi pozitive në rajonin e Ballkanit Perëndimor se mund të bashkëpunohet dhe të vihet deri të zgjidhjet që janë në interes të përbashkët”.

    “Demarkacioni ndërmjet shteteve që kanë dalë pas shpërbërjes së Jugosllavisë është proces i rëndë dhe i ndërlikuar, por që duhet të zgjidhet“, thekson Gegaj.

    Deklarata e anëtarit të Këshillit të politikës së jashtme të Parlamentit të Malit të Zi Nikollë Gegaj, vjen një ditë përpara organizimit të një debati në formë tryeze e cila është thirrur nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

    Kjo formë e debatit për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi bëhet për herë të parë dhe pas kundërshtimeve me forcë të opozitës për miratimin e demarkacionit në Kuvend, madje edhe me përdorim të gazit lotsjellës.

    Tryeza nuk ka karakter vendimmarrës, por llogaritet se do t’i paraprijë seancës vendimmarrëse në Kuvend.

    Duke folur për këtë debat i cili pritet të sjell argumente dhe fakte rreth marrëveshjes së demarkacionit më Malin e Zi, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i pati deklaruar Radios Evropa e Lirë se do të jetë një mundësi shtesë për t’u ulur dhe për të biseduar për çështjen e demarkacionit.

    “Ajo që është e mira e këtij debati do të jetë përpjekja e ekspertëve, e atyre që e mbështesin dhe atyre që e kundërshtojnë formën e tanishme të Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, që të përpiqen ta argumentojnë votimin ose mosvotimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Haliti.

    Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive politike në opozitë, janë skeptikë se debati mbi demarkacionin me Malin e Zi, do të sjellë një konsensus të partive politike lidhur me këtë çështje.

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Driton Çaushi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk shpresojnë që ky debat do të ketë ndikim në vendim-marrje.

    “Është me rendësi të theksohet se procesi i demarkimit është proces shkencor dhe aspak politik. Duke pasur parasysh që tash e 12 muaj janë injoruar zërat e shkencës dhe është shtyrë përpara një marrëveshje e dëmshme për Kosovën, nuk ka vend për optimizëm se për këtë çështje do të arrihet një konsensus i partive politike”, ka thënë Çaushi.

    Partitë politike opozitare vazhdimisht kanë deklaruar se nuk janë kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e aq më pak kundër procesit të liberalizimet të vizave, por sipas tyre, opozita është kundër faljes së 8,200 hektarëve të tokë.

    Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për përkufizim të vijës kufitare në Vjenë në fund të muajit gushtit të vitit të kaluar në praninë e presidentit malazez Filip Vujanović dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, si dhe në prani të ministrit të jashtëm të Austrisë Sebastian Kurz.

    Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti i fundit të cilin Bashkimi Evropian pret që Kosova ta zbatojë, para se kjo e fundit ta marrë liberalizimin e vizave./REL.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark