Maliqi kritikon politikanët që e përdoren rastin e nxënëses me shami: Kanë rënduar gjendjen emocionale të saj - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Maliqi kritikon politikanët që e përdoren rastin e nxënëses me shami: Kanë rënduar gjendjen emocionale të saj

    Insajderi
    26 September 2024 - 18:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    I pari që e ngriti si shqetësim publik përjashtimin e nxënëses 18 vjeçare nga gjimnazi i Pejës për shkak të shamisë, Imami Labinot Maliqi është distancuar nga siç i quan ai “manipulimet elektorale” të disa deputetëve që sot gjatë ditës në Kuvend diskutuan për këtë rast.

    Përmes një reagimi në Facebook, Maliqi ka shkruar se këto përpjekje janë të dëmshme dhe kanë renduar gjendjen emocionale të vajzës.

    Reagimi i plotë:

    Unë distancohem fuqimisht nga çdo lloj manipulimi elektoral, dhe i konsideroj shumë të dëmshme përpjekjet e fundit nga disa individë, të cilët duke shkelur privatësinë e një nxënëseje, kanë rënduar edhe më tej gjendjen emocionale të saj dhe të familjes. Këto veprime kanë penguar gjithashtu progresin e bërë në këtë proces.

    Institucionet e Kosovës kanë filluar zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe kam besim të plotë tek to. Jam në pritje që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, përmes korrigjimit apo anulimit të ndalimit të parashikuar nga Udhëzimi Administrativ.

    Dua të shpreh bindjen e plotë që, vajzat në Kosovë, të cilat e ndiejnë nevojën dhe janë të motivuara nga besimi i tyre të vendosin shaminë, nuk duhet të ngurrojnë ta bëjnë këtë. Kosova, përmes ligjeve të saja, garanton mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj për qasjen në arsim, mundësi për jetë shoqërore, mundësi për jetë martesore, mundësi për jetë normale. Çdo vajzë, pavarësisht moshës së saj, duhet të ndihet plotësisht e lirë, duke e ditur se e kanë mbështetjen time të plotë dhe të pakushtëzuar për mbajtjen e shamisë nëse ato kanë vendosur të arsimohen, ashtu siç e kanë pasur deri më tani. Përveç shamisë, vullnetit dhe bindjes së tyre, gjithçka tjetër është e përkohshme.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark