Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, ka folur rreth situatës së fundit politike në vend, pas mocionit të opozitës, ai ka thënë se në situatën aktuale zgjedhjet e parakohshme do t’i konvenonin vetëm PDK-së.
Ai thotë se zgjedhjet i konvenojnë vetëm PDK-së dhe për shkak të pamundësisë për tu tërhequr nga koalicioni ai thotë se PDK-së i janë gjetur argatët e opozitës.
“Dihet që zgjedhjet e parakohshme parlamentare i konvenojnë në këtë situatë vetëm PDK-së. Për shkak të pamundësisë për shumë arsye, që PDK-ja të tërhiqet nga koalicioni u gjenden argatët e PDK-së dhe e dërguan mocionin për rrëzimin e Qeverisë në Kuvend”, ka shkruar Maloku në llogarinë e tij në Facebook.
Maloku ka krahasuar këtë situatë me atë të 7 viteve më parë kur ish-presidenti Fatmi Sejdiu edhe atëherë sipas tij ishte dërguar nga argatët e PDK-së në Gjykatën Kushtetuese.
“Situatë e ngjashme, dhe e provuar edhe në vitin 2010 kur ish-presidenti Fatmir Sejdiu nga argatët e atëhershëm të PDK-së u dërgua në Kushtetuese”, ka thënë ai.
Sipas Malokut janë dy variante të mocionit të opozitës, e para mocioni do të ketë sukses ku PDK-ja do të ketë mundësi të fitojë përsëri zgjedhjet, ose varianti tjetër për shkak të presionit amerikan dhe gjerman mocioni do të dështoj ku sipas tij LDK-ja e Mustafës do të dal edhe më e fuqishëm.
“Nga dy variantet njëra do të ndodhë në Kuvend: Do të këtë sukses mocioni dhe kjo do të jetë fitore vetëm e PDK-së me çka krijohet mundësia e vetme që edhe njëherë t’i fitojë zgjedhjet…..argatët si gjithherë ‘pas bishtit të kalit’ ose; Për shkak të presionit amerikano-gjerman mocioni do të dështojë dhe nga kjo do të dalin edhe më të fuqishëm Isa Mustafa dhe LDK-ja. Argatët edhe ashtu argat mbesin!”, ka shkruar Maloku./Insajderi.com