Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka shpallur ofertuesin me të shtrenjtë fitues në tenderin “Shërbime të hotelerisë – bufesë në objekt”. Në Gjykatën e Tenderëve një kompani është ankuar për shkelje të ligjit nga ana e MASHT.
Gazeta Insajderi
Me datën 5 gusht, Ministria e Arsimit, ka dhënë njoftimin për kontratën “Shërbime të hotelerisë – bufesë në objektin e MASHT“.
Sipas njoftimit me kontratë u shpërblye kompania “N.H.T. “Edukimi”.
“Rezultati i aktivitetit te prokurimit: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, shpërblen me kontratë, operatorin ekonomik: N.H.T. “Edukimi”, Rr. Agim Ramdani, p/n, 10000, Prishtinë, në vlerë totale të ofertës, çmim për njësi, sipas peshimit në %, në shumën 23.94 EURO“, thuhet në njoftim.
Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 25 mijë euro.
Në dosjen e tenderit janë dhënë edhe detaje se çfarë kërkesash duhet plotësuar.
MASHT, ka kërkuar shërbime të ndryshme si kafe dhe pije të ftohta.
Aty janë kërkuar lloje të ndryshme të kafeve si: Makiato, expres, kapuqino, etj.
Ndërsa për pijë freskuese, Ministria, kërkoi pije në kanaçe si: Cola-cola, Fanta, shweps, etj.
Kjo ministri në kërkesë, anash nuk la as lëngjet ku u kërkuan paketime: Pjeshkë, mollë, portokall, ananas, etj.
Ndërsa menyja ushqimore po ashtu duket mjaftë e pasur.
Aty përfshihen mishra, mantija, akullore, ëmbëlsira, supa, sallata, etj.
Pse iu dha tenderi kompanisë me të shtrenjte?
Në Organin Shqyrtues të Prokurimit, një kompani është ankuar ndaj Ministrisë se Arsimit, se nuk ka përfillur kriteret për dhënien e kontratës.
Sipas kompanisë ankuese, kriteri për dhënien e kontratës çmimi më i ulët nuk është përfillur.
“Pretendojmë e se Autoriteti Kontraktues përmes Komisionit për vlerësimin ekzaminimin dhe krahasimin e tenderit gjatë procedurës së vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderit ka bërë shkelje te dispozitave të;
I. Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092, (në tekstin e mëtejmë do të i referohemi LPP-së) dhe atë konkretisht“, thuhet në ankesë.
Tutje, aty pretendohet se janë shkelur këto dispozita: Ekonomiciteti dhe Efikasiteti, Dispozitat e Përgjithshme mbi Përzgjedhjen e Pjesëmarrësve dhe Dhënien e Kontratave, Vlerësimi ekzaminimi dhe krahasimi i tenderit dhe Neni 60 Kriteret për dhënie të kontratës.
“Komisioni për vlerësimin, ekzaminimin dhe krahasimin e tenderit ka vepruar ne kundërshtim me neni nenin 59 te LPP-se ne momentin kur ka marre vendim për eliminimin e OE: Shqiponja BFB SH.P.K si dhe duke shpërblyer me kontrate OE ; D.P.H “Edukimi ” i cili ka dorëzuar tender te pa përgjegjshëm ne kuptim te dispozitave te LPP-se, ndërkaq ka eliminuar OE ne këtë rast parashtruesin e kërkesës për rishqyrtim i cili ka ofruar dëshmi dokumentare mbi plotësimin e te gjitha kërkesave për kualifikim dhe pjesëmarrje ne tender te cilat jen te përcaktuara ne paragrafin; III.2.4) Kapaciteti teknik dhe profesional te Njoftimit për kontrate dhe paragrafin III.2.4 (kapaciteti teknik/profesional si dhe ka respektuar kriterin për dhënie te kontratës i cili është Çmimi më i ulte i tenderit te përgjegjshëm“, thuhet në ankesë.
Ndërkohë, në ankesë theksohet se Ministria e Arsimit i ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim./Insajderi.org/