Komuna e Prishtinës po përballet me një tjetër sfidë ligjore përballë Qeverisë së Kosovës, pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e cilësoi të paligjshëm vendimin e komunës për ta kaluar organizimin e tregut “Verë n’Dimër” dhe “Akull n’Verë” nën menaxhimin e ndërmarrjes “Sport Marketing”, në vend të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, e cila kishte mbikëqyrur këto aktivitete më herët.
Ky vendim, i nënshkruar nga kryetari Përparim Rama, është konsideruar nga MAPL si një përpjekje për të anashkaluar mbikëqyrjen e tyre.
“MAPL konstaton se vendimi Nr. 14.020/04.129312/24 nuk përmban në preambulë Rregulloren nr. 01-463/01-227577/23 për përcaktimin e procedurave dhe formave për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës për më pak se një vit të datës 1.12.2023, akt me të cilin kryeqyteti i Republikës së Kosovës/Prishtinë ka përcaktuar ‘procedurë të brendshme për dhënien në shfrytëzim të pronës më pak se një vit’ si dhe neni 6 i vendimit që ka përcaktuar se ‘hyrja në fuqi realizohet në momentin e nënshkrimit të tij’ duke anashkaluar dërgimin e aktit të autoritetit mbikëqyrës për shqyrtimin e ligjshmërisë është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nenin 80”, thuhet në arsyetim përcjell Insajderi.
Sipas arsyetimit të MAPL, kjo mungesë e pajtueshmërisë ligjore përbën shkelje të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
MAPL është vënë në dijeni për këtë situatë përmes një ankese, dhe ka kërkuar nga Rama që të ndërmarrë veprime në përputhje me ligjin.
“Kryetari i Kryeqytetit të Prishtinës me datën 02.10.2024, ka nxjerr vendimin Nr. 14.020/04.129312/24 për miratimin e kërkesës së ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing SH.A” për organizimin e tregut veror. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është njoftuar përmes ankesës së pranuar me datën 10 tetor 2024 lidhur me nxjerrjen e aktit nga Kryetari I Kryeqytetit të Prishtinës”, thuhet në shkresë.
Në shkresën zyrtare drejtuar komunës, MAPL i ka kërkuar Ramës që vendimi të rishqyrtohet brenda afatit ligjor dhe të harmonizohet me legjislacionin në fuqi.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bazuar në atë që është lartcekur kërkon nga kryetari Përparim Rama dhe Kuvendi i Komunës së Prishtinës që të ndërmarrin veprime dhe brenda afatit ligjor të rishqyrtojë aktin dhe të harmonizojë me legjislacionin në fuqi konform mandatit që kanë si organe lokale”.
Ndërkohë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar Komunën e Prishtinës për të pyetur se çfarë hapash do të ndërmerren në lidhje me këtë çështje dhe për të sqaruar pozicionin e komunës për vendimin e marrë, por deri më tani, nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare.
Ky veprim nga MAPL u mor pas kërkesës së Gëzim Sveçlës, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili i kërkoi ministrisë të shqyrtojë ligjshmërinë e dhënies së shfrytëzimit të hapësirës publike për ndërmarrjen “Sport Marketing” për organizimin e tregut veror në sheshin “Xhorxh Bush”.
Heshtja e komunës në këtë rast ka ngritur shumë pikëpyetje mbi qëndrimin që do të mbajë Prishtina dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë për të zgjidhur këtë çështje në përputhje me kërkesat ligjore të MAPL.
/GazetaInsajderi