Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj iu është kundërpërgjigjur Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pasi ky i fundit u shpreh se kryeministri Kurti ka rritur buxhetin dhe se në tri vitet e fundit FSK ka blerje jashtëzakonisht të mëdha të armatimit, raporton Insajderi.
Lekaj thotë se Qeveria aktuale ka rritur buxhetin për FSK, por në asnjë mënyrë në nivelin e duhur dhe të merituar si institucion.
“Kjo Qeveri ka rritur buxhetin për FSK, por në asnjë mënyrë në nivelin e duhur dhe të merituar si institucion”, u shpreh Lekaj.
Më tej, deputeti i AAK-së theksoi se kjo qeveri ka ndarë 100 milionë euro, por që shuma e ndarë është 10 fish më e vogël për ti balancuar forcat ushtarake me ato të rajonit.
“Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 milionë euro, por që fatkeqësisht shuma e ndarë është 10 fish më e vogël për ti balancuar forcat dhe fuqinë ushtarake me vendet e rajonit. Në terma është e pamjaftueshme për shtetin dhe të ardhmen e vendit”, tha ai.
Lekaj pretendon se kanë kërkuar që buxheti për vitin 2024 në lidhje me sigurinë e vendit të rritet, por që nuk është aprovuar nga shumica dhe Qeveria e Kosovës.
“Ne si opozitë edhe në Komisione edhe në Seanca Parlamentare por edhe në media, kemi kërkuar që buxheti për vitin 2024 në lidhje me sigurinë e vendit, FSK-në, dhe për armatim të rritet, por që nuk është aprovuar nga shumica dhe Qeveria e Kosovës”, transmetoi Lekaj.
Tutje, ai thekson dy arsyet për të cilat thotë se kërkesat e tyre si AAK kanë qenë të drejta.
“Kërkesat tona si AAK kanë qenë të drejta për dy arsye, e para sepse jemi bazuar në buxhetin e mjaftueshëm që ka qenë i grumbulluar dhe i orientuar gabimisht në luksin qeveritar për mallra e shërbime, e dyta duke e ditur gjendjen dhe raportet me Serbinë, në sektorin e sigurisë duhet ta kemi interes primar nacional, sepse në çdo moment jemi të rrezikuar”, deklaroi Lekaj për Insajderin.