
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me gjeneralin e FSK-së, Bashkim Jashari, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Maqedonci ka njoftuar për një takim të rëndësishëm të zhvilluar në Departamentin e Mbrojtjes me zëvendës ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes, David Baker, të cilin e ka cilësuar si “kulmin e vizitës”, shkruan Insajderi.
Gjatë një interviste të dhënë më herët në Kosovë, Maqedonci kishte paralajmëruar një marrëveshje historike që do të nënshkruhej gjatë kësaj vizite në SHBA. Ndërkohë, sot ai ka bërë të ditur se kanë zhvilluar diskutime për mundësitë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes përmes programeve dhe projekteve të përbashkëta, për të cilat “janë dakorduar mbi parimet e bashkëpunimit”, transmeton Insajderi.
Ministri Maqedonci, i shoqëruar nga gjenerali Bashkim Jashari, theksoi gjithashtu se janë të përkushtuar për ta përmbyllur me sukses fazën e tretë të Planit të Tranzicionit të FSK-së.