Maqedonci thotë se s'bëhet fjalë për rizotim, tregon për çka i dërgoi letër KFOR'it - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Maqedonci thotë se s’bëhet fjalë për rizotim, tregon për çka i dërgoi letër KFOR’it

    Insajderi
    09 January 2025 - 11:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjatë ditës së djeshme u raportua se Qeveria e Kosovës ia kishte dërguar KFOR-it një letër rizotimi, se nuk do ta dërgojnë FSK-në në veri pa marrë një autorizim nga misioni i NATO-s në Kosovë.

    Lidhur me letrën që iu dërgua komandantit të KFOR-it, Enrico Barduanit, sot është deklaruar për Klan Kosovën ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Maqedonci tha se nuk bëhet fjalë për rizotim.

    “Letra zotuese e vitit 2013 është dërguar nga ish-kryeministri Thaçi për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Pra çështjet përmbajtësore të zotimit adresohen në atë nivel, kurse në nivelin tim dhe të Komandantit të KFOR-it është që të sigurojmë njëri tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar”, tha Maqedonci.

    “Pra, nuk bëhet fjalë për ri-zotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s”, theksoi ai.

    Maqedonci tha se qëllimi i kësaj letre është t’i tregohej KFOR’it që angazhimi i një njësie të FSK’së në një nga katër komunat veriore para disa ditësh nuk kishte qëllim tensionimin e situates.

    “Qëllimi i letrës ka qenë që të sqaroj Komandantin e KFOR që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës”, tha ai.

    “Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e kam thënë publikisht në media, kam ritheksuar që insitucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK në operacione në veri pas koordinimit paraprak me Komandantin e KFOR”, theksoi Maqedonci.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark