Policia maqedonase arrestoi mengjesin e sotëm katër persona ,të cilët më parë kanë luftuar në Siri dhe në Irak, si pjestarë të organizatës terroriste ISIS.
Ata u arrestuan gjatë aksionit të ndërmarrë nga policia në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë në një konferencë për media informoi se personat e arrestuar paraqisnin kërcënim për Maqedoninë dhe për vendet e rajonit.
Dejana Nedeljkoviç, zëdhënëse e MPB-së tha se deri më tani nuk kanë njohuri operative nëse këta persona kanë pergaditur sulme terroriste në territorin e Maqedonisë. “Por duke patur parasysh trajnimin e tyre ushtarak në ushtritë ku kanë luftuar, sigurisht që paraqesin kërcënim për Maqedoninë dhe për vendet e rajonit”.
Nëpër shtëpitë e të arrestuarve policia thotë se ka gjetur disa celularë, pasaporta dhe veshje me mbishkrimin arab “shteti islam është i përhershëm”.
Të dyshuarit ngarkohen për veprën penale organizim terrorist.
Gjykata themelore u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në një aksion të ngjajshëm policor, vitin e kaluar u arrestuan dhe u dënuan me burg edhe 11 persona të tjerë nga Maqedonia, të cilët paraprakisht kishin luftuar përkrahë organizatave terroriste.
Aksioni i quajtur “celuala”, arrestoi 11 persona të cilët pranuan fajin dhe u denuan më pas me burg.