Maqedonia e Veriut të martën (10 gusht) ka regjistruar katër të vdekur me COVID-19 dhe 518 të infektuar duke shënuar numrin më të lartë brenda një dite që nga lehtësimi i masave në qershor.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë: dy në Shkup dhe nga një në Tetovë dhe Dibër. Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.
Të dhënat i referohen testimi të 5.809 mostrave.
Në Klinikën Universitare në Shkup dhe qytete të tjera janë shtruar 170 pacientë me COVID-19, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Për shkak të rritjes së rasteve me të infektuar, Maqedonia e Veriut nga 16 gushti do të forcojë masat me ndalimin në ambientet e mbyllura të manifestimeve familjare që besohet të jenë shkaktari i paraqitjes së valës së re, në veçanti në qytetin e Tetovës.
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe i ka bërë thirrje popullatës që të vaksinohet pa asnjë hezitim pasi mbetet alternativa e vetme për mbrojtje nga pandemia.
Sipas tij, deri tani është vaksinuar mbi 30 për qind e popullatës madhore në vend me të paktën nga një dozë apo rreth 600 mijë persona. Rreth 400 mijë prej tyre kanë marrë nga dy doza.
Filipçe ka thënë se institucionet po shqyrtojnë mundësinë e aplikimit edhe të dozës së tretë, por se vendimi final për këtë do të merret pas analizave të detajuara dhe rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare mbi efektin e vaksinave.
Ai gjithashtu ka thënë se nga shtatori mund të aplikohen masa kufizuese për çdo person të pa vaksinuar, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit por edhe të nxitjes së popullatës për tu vaksinuar.
Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 159 mijë persona me COVID-19 prej tyre 5.513 e kanë humbur jetën. Raste aktive janë 2.581 persona.