×
  • Lajme
  • Lajme

    Maqedonia e Veriut shpreh keqardhje për incidentin me Osmanin: Pas analizave të duhura…

    Insajderi
    02 August 2024 - 22:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, ka shprehur keqardhje për incidentin e djeshëm në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, situatën të cilën ai e quajti keqkuptim.

    Në reagimin e MPJ-së maqedonase thuhet se janë kërkuar informacione nga të gjitha institucionet kompetente në lidhje me ngjarjen e djeshme, teksa shtoi se pas analizave të duhura do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme.

    “Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa pyetje të hapura dhe me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Presidentes së Republikës së Kosovës SH.E. Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup”.

    “Theksojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pasi të jetë bërë një analizë e duhur e të dhënave të grumbulluara në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në reagim.

    Një incident ka ndodhur dje në Aeroportin e Shkupit ku është përfshirë presidentja e vendit, e që sipas Presidencës së Kosovës, sigurimi i aeroportit ka tentuar që me forcë t’ia marrë telefonin Osmanit dhe ka pasur edhe shtyrje fizike.

    Për këtë, ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dërguar notë proteste ndaj Maqedonisë së Veriut.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark