×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Marco Rubio, emri më i përfolur për sekretar shteti- Çka ka deklaruar ai për Kosovën?

    Insajderi
    12 November 2024 - 21:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Donald Trump po përflitet se ka bërë përzgjedhjen e tij për sekretar amerikan të Shtetit: Senatorin amerikan Marco Rubio.

    Kjo gjë është raportuar nga disa media botërore, sipas të cilave, presidenti i ri Donald Trump, pritet t’i japë atij besimin për postin më të lartë në politikën e jashtme amerikane.

    Kush është Rubio? Qëndrimet e tij për problematikat botërore dhe për Kosovën

    Rubio nëpër intervista të fundit është deklaruar edhe për luftën në Ukrainë. Sipas tij, Ukraina duhet të kërkojë një zgjidhje të negociuar me Rusinë, në vend që të fokusohet në rimarrjen e territorit të humbur.

    Rubio ishte gjithashtu një nga 15 senatorët republikanë që votuan kundër pakos së ndihmës ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën nga SHBA’ja, e cila u miratua në prill.

    Ai është i lindur në Miami dhe familjarët e tij janë emigrantë nga Kuba.

    Rubio ka shprehur qëndrimet e tij edhe lidhur me Kosovën.

    Në këtë drejtim, në një postim në platformën ‘X’ në shkurt të vitit 2021, ai kishte përshëndetur njohjen e Kosovës, nga Izraeli, me ndërmjetësim të presidencës së parë të Trump falë Marrëveshjes së Washingtonit.

    “Senatori Rubio përshëndet Izraelin dhe Kosovën për themelimin e raporteve diplomatike. Ky është hap i rëndësishëm për të dyja shtetet si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, kishte shkruar Rubio.

    Po ashtu, në një fjalim të 2011-ës, Rubio kishte folur për rolin e Amerikës në botë – duke përmendur edhe ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së në Kosovë. Ai e quante regjimin e Millosheviqit “djajtë e tjerë”.

    “Forcat e armatosura amerikane kanë qenë një nga forcat më të mëdha të botës në shekullin e shkuar. Ato e ndalën nazizmin dhe komunizmin dhe djaj të tjerë si spastrimin etnik nga serbët. Ato ndihmuan lindjen e demokracive nga Gjermania deri në Irak. Kanë bërë ndihma e kanë kryer misione të panumërta për shtetin tonë”, ishte shprehur ai.

    Rubio më 2018-ën kishte zhvilluar takim edhe me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

    Në një njoftimin e Presidencës së Kosovës ishte bërë e ditur se Thaçi me të ka biseduar për transformimin e FSK’së në ushtri, pos tjerash.

    “Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, ishte thënë në një njoftim të Presidencës së Kosovës, e cila në atë periudhë udhëhiqej nga Thaçi. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark