
Artistja Ms.Indefinite, me anë të aktivizmit të saj artistik përmes video-performancave/instalacioneve, avokon për të drejtat e gruas në Kosovë.
Artistja Ms. Indefinite, ka paraqitur në festivalin ‘FemArt’ performancën artistike Me titullin ‘Marigona nuk e qëndis më flamurin’, e cila i është kushtuar Marigona Osmanit, 18-vjeçares nga Ferizaj e cila u vra nga partneri i saj, Dardan Krivaqa
Ms. Indefinite flet për Gazeten Insajderi duke dhënë detaje për veprën e cila është realizuar në kuadër të ‘FemArt’ në oborrin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
“Video-performanca e titulluar “Marigona Nuk e Qëndis Më Flamurin” i dedikohet Marigona Osmanit, 18-vjeçares nga qyteti i Ferizajt e cila u vra në mënyrë mizore duke u dhunuar fizikisht për dy ditë rresht nga partneri i saj Dardan Krivaqa.” – thotë Ms.Indefinite për Gazeten Insajderi.
“E pamja për Marigonen do të qëndrojë e hapur tek Gjykata Themelore në Ferizaj deri në shqiptimin e dënimit me burg të përjetshëm! Kurse Ngushllimi për kryeshnosh është Neni 173, pika 1.3 dhe 1.4 i Kodit Penal nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës.” – u shpreh artistja duke shpjeguar mesazhin e alegorisë artistike të kësaj vepre.
Ndërkaq, ‘Marigona Nuk e Qëndis Më Flamurin’ është prezantuar në ditën e dytë të festivalit ‘FemArt’, që organizohet nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis. Edicioni i sivjetëm, i cili ka temën ‘Fuck Sexism’, ka filluar të hënën dhe do të vazhdojë aktivitetet deri më 6 tetor.
Më poshtë mund ta shikoni performancën artistike ‘Marigona nuk e qëndis më flamurin’ nga artistja Ms.Indefinite: