Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Serbisë, drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Marko Gjuriq është emëruar ambasador i Serbisë në SHBA.
Në mbledhjen e njëjtë Gjuriq u shkarkua nga funksioni i gjertanishëm i drejtorit të “zyrës për Kosovë”.
Ai në këtë funksion ka qenë prej majit të vitit 2014.
Në këtë mbledhje Gjuriq ka pretenduar se për shtatë vjet, sa është në këtë funksion, e ka realizuar qëllimin kryesor – “e ka ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë”.
“Përkundër dëshirave të ekstremistëve, ata nuk arritën të organizojnë dhe të zbatojnë dhunë masive”, ka pretenduar Gjuriq.
“Gjatë këtyre shtatë vjetëve ka pasur 18 tërheqje të pavarësisë së Kosovës, dhe e kemi lëshuar rampën për Kosovën në UNESCO, Interpol dhe Unionin e Doganave”, ka thënë Gjuriq duke u lavdëruar për “rezultatet e arritura”.
“Derisa ekziston Peja, Graçanica dhe Gazimestani, do të ketë serb dhe Serbi në Kosovë”, ka thënë Gjuriq. Funksionin e tij të gjertanishëm do ta merr Petar Petkoviq, të cilit i ka premtuar Guriq se “do ta ketë përkrahjen e tij të plotë”./Insajderi.org.