
Rreth moshës 50 vjeç, shumica e njerëzve të zakonshëm fillojnë të kuptojnë dhe të pranojnë, se seksi rrallëherë do të jetë si dikur.
Nga ky moment e tutje, intimiteti shpesh shoqërohet më shumë me ndrojtje sesa me natyrshmëri plot pasion, dhe ndonjëherë mund të shkaktojë më shumë probleme sesa zgjidh.
Ndryshimet që ndodhin në jetën seksuale gjatë moshës së mesme na zënë shpesh të papërgatitur. Dy hormonet që ndikojnë më së shumti në funksionin seksual, estrogjeni dhe testosteroni, fillojnë të bien ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, si te gratë, ashtu edhe te burrat.
Si pasojë e kësaj rënieje hormonale, simptomat më të zakonshme janë dëshira seksuale e ulët dhe ndryshimet në mënyrën si trupat tanë reagojnë ndaj stimulimit seksual. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.
Seksualiteti në këtë moshë është kompleks dhe shpesh shoqërohet me ndryshime fizike, mendore dhe emocionale. Marrëdhëniet dhe rolet tona po ashtu evoluojnë. Edhe pse është normale që njerëzit të përjetojnë ndryshime në jetën seksuale gjatë kësaj faze, ato rrallë ndodhin njëkohësisht te të dy partnerët, gjë që mund ta komplikojë edhe më shumë situatën.
Ja tre faktorë kryesorë që sfidojnë seksualitetin në moshën e mesme dhe që mund të krijojnë reaksione zinxhir, jo vetëm në jetën seksuale.
Në këtë periudhë, është e zakonshme që individët të përjetojnë ndryshime në peshë, formë fizike, pamje apo gjendje emocionale. Këto ndryshime shpesh ndikojnë negativisht në mënyrën si e shohim veten, duke ulur ndjesinë e të qenit tërheqës apo “sexy”, dhe për pasojë, duke reduktuar dëshirën seksuale. Sfida është të bëjmë çfarë është e arsyeshme për shëndetin dhe pamjen tonë, por edhe të mësojmë të pranojmë veten në këtë fazë të re të jetës.
Shpeshherë, partnerët në moshën e mesme nuk janë më të sinkronizuar me njëri-tjetrin. Gratë, në këtë etapë të jetës, përjetojnë ndryshime të thella psikologjike dhe shpesh zhvendosin vëmendjen nga familja apo partneri, drejt vetes dhe nevojave të tyre personale. Shpesh duan të krijojnë diçka të tyren, ndërsa burrat kërkojnë më shumë kohë për veten dhe argëtim. Ky ndryshim në qasje ndikon ndjeshëm edhe në sjelljen seksuale dhe shpesh kthehet në burim tensioni në marrëdhënie.
Rënia e dëshirës seksuale është shumë e zakonshme te gratë që afrohen me menopauzën. Shumë prej tyre nuk e mendojnë më seksin, nuk marrin nisma dhe nuk ndjejnë interes. Edhe ato që ruajnë dëshirën, shpesh ankohen për eksitim të ngadaltë dhe vështirësi në arritjen e orgazmës.
Nga ana tjetër, burrat përballen me rënie graduale të testosteronit, çka mund të çojë në ulje të dëshirës seksuale, probleme me ereksionin apo ndjesi të pakësuar gjatë aktit. Edhe ata që përdorin medikamente ndihmëse, me kohën mund të ndiejnë neveri ose distancim emocional, pasi e dinë që fuqia e tyre seksuale varet nga një pilulë.
Seksi pas të 50-ave nuk është fundi, por ndryshim
Edhe pse sfidat janë reale, nuk do të thotë se intimiteti në këtë fazë të jetës duhet të shuhet. Me vetëdije, komunikim të hapur dhe qasje realiste ndaj trupit dhe marrëdhënieve, është e mundur të gjejmë mënyra të reja për të përjetuar kënaqësi dhe lidhje intime, ndoshta ndryshe nga më parë, por jo domosdoshmërisht më keq.