Dakordimi i Marrëveshjes së Brukselit, në mes të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Serbisë, të datës 27.02.2023, do të jetë kapitullim për Republikën e Kosovës!
Së pari, marrëveshja në hyrje parasheh ‘’kapërcimin e trashëgimisë së kaluar’’, që nënkupton se mbi bazën e kësaj hyrje, Republika e Kosovës do të humb çfarëdo inicimi të padisë eventuale për gjenocid ndaj Serbisë. Dhe, po ashtu fati i mijëra të zhdukurve do të mbetet enigmë e pa zgjidhur. Sepse, kjo pjesë amniston Serbinë për të kaluarën gjenocidale ndaj Kosovës, duke kapërcyer trashëgiminë e kaluar.
Së dyti, Nenit 2, parasheh, se: ‘’ Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit’’.
Këtu kemi dy interpretime diametralisht të kundërta, që krijojnë dykuptimësi, dhe secilës palë i njihet e drejta e saj, si Kosovës ashtu edhe Serbisë. Shto faktin se, Serbia në Kushtetutë të saj, Kosovën e parasheh si pjesë të saj, dhe poashtu në bazë të Rezolutës 1244, të OKB – së, njihet sovraniteti territorial i Serbisë mbi Kosovën. Mbi këtë bazë, Serbia do ta konsideroj Kosovën për Serbinë si çështje e pazgjidhur politikisht, duke e konsideruar si pjesë të saj, ndërsa serbët e Kosovës do t’i shtyej drejt autonomisë dhe vetëvendosjes!.
Së treti, Neni 7, thekson se: “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.
Për më tepër thuhet, se: ‘’Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese fetare evropiane’’.
Pra, me dekret do të themelohet Statuti i Asociacionit të Komunave Serbe, duke u njihur termi njëetnicitet, përderisa Republika e Kosovës është shtet shumë etnik. Dhe, duke u vetëmenaxhuar, duke krijuar lidhje dhe mbështetje financiare e varësie nga Serbia, dhe duke ”komunikuar”, e jo ”raportuar” tek Qeveria e Kosovës, dhe në bazë të Nenit 2 të marrëveshjes, duke u ndërlidhur termin komunitet, të mund edhe të shpallin autonomi dhe të drejtë për vetëvendosje. Kështu, duke u cënuar direkt sovraniteti i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran.
Po ashtu, Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton qartë se: ‘’Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare’’. Ndërsa, dhënia e statutit të avancuar të Kishës serbe nënkupton cënim të laicitetit, kushtetutshmërisë, dhe krijim të precedantit, që edhe grupet tjera fetare të kërkojnë avancim të statutit të tillë të tyre.
Prandaj, me marrëveshjen e dakorduar të Brukselit, të datës 27.02.2023, u cënua Kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës, sovraniteti dhe karakteri laik i shtetit. Serbia fitoi amnisti për krimet e kryera në Kosovë, dhe autonomi kombëtare dhe fetare për serbët e Kosovës. Dhe atë, pa e njohur Republikën e Kosovës.
Cili do të jetë kompromisi i radhës, nëse pas dhjetë vitesh Serbia njeh shtetin e Kosovës?.
©Ardian Megjani
Avokat dhe Ekspert i së drejtës Kushtetutese