
Serbia nuk ka pranuar në asnjë mënyrë që në lidhje me Deklaratën për Personat e Pagjetur të përfshihet termi “të zhdukur me dhunë [anglisht ‘Enforced Dissapearance’, sipas Konventës së 2010 për Personat e Zhdukur me Dhunë si kategori juridike]”. Kjo ngase vetëm shtetet janë përgjegjëse për zhdukjet e dhunshme dhe rrjedhimisht barra do të rëndonte mbi vetë shtetin e Serbisë. Ky ka qenë edhe boshti i kahershëm i argumentimit të palës serbe, siç e ka artikuluar vazhdimisht Kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur në Serbi, Veljko Odaloviq, shkruan Insajderi.
“Prishtina nuk ka qenë shtet, as atëherë dhe nuk është as sot. [Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe është ndërkombëtarisht e njohur nga 117 shtete]. Ajo nuk ka kurrfarë përgjegjësie për zhdukjet që kanë ndodhur në vitet ‘90. I bie se vetëm Republika e Serbisë është përgjegjëse edhe për zhdukjet dhe vuajtjet e serbëve, por edhe për zhdukjet e të gjithë të tjerëve”, thoshte Odalloviq.
Kosova, përkatësisht Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar që termi “të zhdukur me dhunë” me doemos të përfshihet në Deklaratën për Personat e Pagjetur. Kurti ishte kategorik në atë që kjo gjë të përfshihej. “…ne insistojmë që të theksohet që kjo [zhdukja] është bërë me forcë, është bërë me dhunë, sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, të llojit të vërshimeve, zjarreve apo tërmeteve”, thoshte Kurti.
Tërë kësaj beteje mes termesh megjithatë duket se iu zgjodh një mes. “Enforced Dissaperance” e cila do ta bënte përgejgjëse shtetin e Serbisë u shmang për t’u pranuar termi “forcibly dissapared” e cila i rerefohet rrethanës së ndodhjes së zhdukjes së dhunshme, por e cila nuk është edhe kategori juridike.
Si rrodhi konfuzioni për këtë?
Me të përfunduar takimi trepalësh në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, ai i palës së serbe Petar Petkoviq njoftoi se me sukses Serbia ia doli të shmang termin “Enforced Dissaperance” e cila do ta bënte përgjegjëse shtetin serb për zhdukjet. Për tekstin, ai tha se janë pajtuar në plotëni dhe se pritet të miratohet në Nivel të Lartë. Ndërkaq, për habi, Besnik Bislimi nuk tha gjë për të. U desh të raportohej në media për këtë paqartësi që të dilte Andin Hoti me një shkrim (e që më pastaj e redaktoi edhe njëherë nga termi ‘të zhdukurit me dhunë’ në paragrafin e parë).
Andin Hoti thotë të kundërtën e Petkoviqit. “Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritem ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjesisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare.Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb”, shkroi ai në Facebook.
I menjëhershëm, megjithatë, ishte reagimi i Petkoviqit. “Termi ‘të zhdukurit me forcë’ është miratuar, term i cili nuk është kategori juridike dhe nuk gjenden në asnjë konventë ndërkombëtare, por vetëm përshkruan situatën/rrethanat se si ka ndodhur zhdukja dhe prandaj nuk mund të prodhojë ndonjë pasojë ligjorew ndaj interesave të shtetit të Serbisë e as përgjegjësisë së saj”, tha ai.
“Qartësimi” i Kurtit
Vetëm pasi që kjo çështje u bë brum debati erdhi reagimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e dha termin e saktë mbi të cilin është pajtuar në tekst. “Forcibly dissapeared”, tregoi ai.
“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’ dhe kështu është termi që është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat të pagjetur, të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukur me dhunë. ‘Forcibly disappeared’, kjo është shprehja në anglisht për të cilën tashmë është dakorduar në Bruksel”, ka thënë Kurti.
Petkoviqi, në anën tjetër, e shpall për triumf të palës negociatore serbe arritjen e këtij formulimi pasi heq përgjegjësinë nga shteti serb për të zhdukurit me dhunë në luftë. “Kjo është e rëndësishme për shkak të familjeve të të gjithë atyre që janë ende të zhdukur. Do të shtoja vetëm se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha kushtet, dhe se nuk e kemi pranuar termin ‘zhdukje me dhunë’, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e shtetit të Serbisë”, thotë Petkoviq.
Konventa për personat e zhdukur me dhunë – “Enforced Dissapearance” e jo “Forcibly Dissapeared” thotë kështu në Preambulë:
Shtetet Palë të kësaj Konvente,
Duke marrë parasysh detyrimin e shteteve sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara për të promovuar respektin universal dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore,
Duke pasur parasysh Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut,
Duke kujtuar Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe instrumentet e tjera relevante ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtës humanitare dhe të drejtës penale ndërkombëtare,
Duke kujtuar gjithashtu Deklaratën për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në rezolutën 47/133 të 18 dhjetorit 1992,
Të vetëdijshëm për seriozitetin ekstrem të zhdukjes me forcë, që përbën një krim dhe, në rrethana të caktuara të përcaktuara në të drejtën ndërkombëtare, një krim kundër njerëzimit,
Të vendosur për të parandaluar zhdukjet me forcë dhe për të luftuar mosndëshkimin për krimin e zhdukjes me forcë,
Duke marrë parasysh të drejtën e çdo personi për të mos iu nënshtruar zhdukjes me forcë, të drejtën e viktimave për drejtësi dhe dëmshpërblim,
Duke pohuar të drejtën e çdo viktime për të ditur të vërtetën për rrethanat e një zhdukjeje me forcë dhe fatin e personit të zhdukur, si dhe të drejtën e lirisë për të kërkuar, marrë dhe dhënë informacion për këtë qëllim,
Kanë rënë dakord për nenet e mëposhtme:
Lexojeni të plotë Konvetën këtu…