×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja për pranim fajësie- Shala dhe Prokuroria janë dakorduar për caktim të dënimit me tri vjet burgim

    Insajderi
    18 December 2024 - 13:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Haxhi Shala, në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, ishin dakorduar për caktimin e dënimit prej 3 vjet burgim për Shalën.

    Kjo gjë u tha nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, e cila shtoi se ZPS-ja dhe Shala ishin dakorduar që përveç kësaj, ZPS-ja të propozojë që të akuzuarit t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Ju keni rënë dakord për caktimin e një dënimi prej 3 vitesh burgim dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë- në të thuhet që në shkëmbim të fajit nga ju ZPS-ja do t’i rekomandojë trupit gjykues një burgim prej tre vitesh burg dhe i rekomandon që zotit Shala t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim të DhSK-së”, tha gjykatësja.

    Në pajtim me marrëveshjen e pranimit të fajësisë, Mappie Veldt-Foglia tha se ZPS-ja pajtohet që të tërheq pikën 1 të aktakuzës. Këtë gjë e konfirmoi edhe Shala.

    Shala u njoftua që në rast që aprovohet kjo marrëveshje për pranimin e fajësisë, atij i hiqet e drejta për apelim të vendimeve. Rrjedhimisht, Shala nuk do të ketë mundësi që ta tërheq pranimin e fajit apo të kërkojë ndryshimin e vendimit të dënimit.

    “I kam kuptuar dhe pajtohem me atë që jam marrë vesh me avokatin dhe avokati me Prokurorinë. Në qoftë se vendimi është mbi tri vite unë do ta apeloj dhe në qoftë se është tri vite e poshtë, jo”, u përgjigj Shala.

    Shala gjithashtu tha se me vullnetin e tij të lirë është arritur kjo marrëveshje dhe s’ka pasur asnjë kërcënim apo shtytje për pranim të fajësisë. Ai pohoi se i kupton pasojat e kësaj marrëveshjeje dhe heq dorë nga e drejta për t’u gjykuar në një gjykim të rregullt.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark