MASHT tenton kapjen e Institutit Albanologjik, nis betejë publike kundër drejtuesve të këtij institucioni - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    MASHT tenton kapjen e Institutit Albanologjik, nis betejë publike kundër drejtuesve të këtij institucioni

    Insajderi
    24 June 2025 - 14:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) po tenton ta marrë nën kontroll Institutin Albanologjik të Prishtinës. Së fundmi, ka nisur një betejë publike me drejtuesit e këtij institucioni pas vendimit të Këshillit Drejtues për emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit – vendim që MASHT po përpiqet ta kontestojë duke përfshirë veten në një proces që nuk i takon sipas statutit të institutit, shkruan Insajderi.

    MASHTI, përmes një njoftimi zyrtar më 24 qershor, ka shprehur shqetësimin për mënyrën e zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues, duke aluduar për mungesë të kuorumit dhe shkelje të procedurave ligjore.

    Dy anëtarë të këtij Këshilli, të emëruar nga vetë MASHTI, sipas njoftimit të ministrisë, kishin kërkuar shtyrjen e mbledhjes për shkak të mungesës së materialeve për shqyrtim, por mbledhja është mbajtur pa ta dhe, siç pretendojnë ata, pa kuorum të mjaftueshëm për vendimmarrje.

    “Ata kanë njoftuar zyrtarisht Ministrinë se, në mungesë të materialit paraprak për shqyrtim, kanë kërkuar shtyerjen e kësaj mbledhjeje. Përkundër kësaj kërkese, ata janë të informuar se mbledhja është mbajtur, dhe sipas njoftimit, nuk ka pasur kuorum për vazhdimin e saj dhe për marrjen e vendimeve të ligjshme nga Këshilli Drejtues”, thuhet në reagimin e tyre.

    Ministria ka paralajmëruar se do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtij vendimi dhe se do të informojë institucionet dhe zyrtarët përgjegjës për hapat e mëtutjeshëm, duke e lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes në këtë proces.

    Ndërkohë, Instituti Albanologjik ka reaguar me një deklaratë të gjatë, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e MASHTI-t dhe duke e cilësuar reagimin e ministrisë si të paprecedent dhe ndërhyrje të paligjshme në kompetencat e një institucioni të pavarur akademik.

    Në përputhje me nenin 29 të Statutit të Institutit dhe nenin 6.8 të Rregullores së Këshillit Drejtues, caktimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit është kompetencë ekskluzive e Këshillit Drejtues, mbi bazën e propozimit të Këshillit Shkencor dhe me votim të shumicës së anëtarëve. Kjo është një procedurë e brendshme institucionale, e rregulluar qartë në aktet e Institutit, ku MAShTI nuk ka rol vendimmarrës, por vetëm informohet pas vendimit. Ndërhyrjet ose komentet mbi ligjshmërinë e kësaj procedure nga jashtë institucionit nuk kanë bazë ligjore”, thuhet në reagimin e Institutit“, thuhet në reagimin zyrtar të Institutit.

    Sipas tyre, kuorumi ishte i përmbushur me praninë e tre anëtarëve me të drejtë vote dhe sekretarit shkencor si kryesues i mbledhjes, në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e brendshme.

    Instituti potencon se nuk ekziston obligim ligjor për shpërndarjen paraprake të materialeve të mbledhjes dhe se kjo praktikë nuk është kontestuar asnjëherë më parë, përfshirë rastet e mëparshme kur janë emëruar drejtues të përkohshëm.

    Drejtuesit e Institutit paralajmërojnë se çdo përpjekje për të kontestuar vendimin apo për të ndërhyrë në mënyrë të njëanshme do të përballet me veprime ligjore për mbrojtje të pavarësisë institucionale.

    “Çdo tendencë për të ndërhyrë në një proces të rregullt dhe të ligjshëm, si dhe në kompetencat e rezervuara të Këshillit Drejtues, sipas Ligjit, Statutit dhe Rregullores, përbën shkelje të dispozitave në fuqi dhe do të na detyrojë të ndërmarrim veprimet e nevojshme ligjore përmes institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”.

    Instituti Albanologjik, në mbledhjen e datës 20 qershor 2025, kishte emëruar Meliza Krasniqin ushtruese të detyrës së drejtoreshës, pas propozimit të Këshillit Shkencor dhe vendimit të Këshillit Drejtues./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark