Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dalë me një sqarim pas publikimit të fundit të të dhënave që tregojnë se ka rënie lidhur me numrin e nxënësve që iu nënshtruan Testit të Maturës, pas përfundimit të shkollës së mesme të lartë.
Në qershorin e vitit 2014 provimit të maturës i janë nënshtruar 42,052 maturantë, ndërsa në qershorin e vitit 2024 ky numër ka rënë në 18,285, që paraqet një zvogëlim prej 56.5%.
Në sqarimin e MASHTI’it thuhet se nga të dhënat në SMIA në vitin 2014 në sistem janë të regjistruar 27.544 nxënës në klasën e 12, kurse në vitin 2024 janë 20.725, e që këto të dhëna, sipas tyre, paraqesin diferencën e saktë brenda periudhës së lartëcekur.
“Sa i përket krahasimit ndërmjet numrit të nxënësve që kanë hyrë në test në vitin 2014, MAShTI njofton se, përveç maturantëve të klasave të 12-ta, Testit të Maturës në vitin 2014, i janë nënshtruar edhe maturantët e klasave të 13-ta, pasi viti shkollor 2013/2014 ka qenë viti i fundit që në sistemin arsimor të Kosovës ka ekzistuar edhe klasa e 13-të”.
MAShTI po ashtu rikujton se, deri më 2016 nxënësit nuk kanë marrë diplomën pa e kaluar Provimin e Maturës, andaj edhe interesimi i nxënësve që nuk arrinin të kalonin testin ka qenë dukshëm me i madh për të hyrë në vitin vijues, duke bërë që numri i maturantëve të cilët i janë nënshtruar testit të jetë më i madh.
“Pas ndryshimit të Ligjit për Provimin e Maturës Shtetërore në vitin 2016, sipas të cilit nxënësit pas mbarimit të shkollimit të mesëm të lartë pajisen me diplomë, kurse me kalimin e Provimit të Maturës marrin certifikatën e maturës, interesimi i disa nxënësve, sidomos atyre të arsimit profesional për t’iu nënshtruar testimit ka rënë.
Këtë vit shkollor numri i nxënësve të cilët kanë përfunduar shkollimin e mesëm të lartë është më i lartë sesa numri i nxënësve të cilët kanë hyrë në provim, ndërsa diferenca brenda periudhës dhjetëvjeçare është edhe për shkak të rënies së numrit të nxënësve në përgjithësi”, thuhet në sqarimin e tyre.