
Banorët e fshatit Blaç, në Dragash, kanë mbetur pa ujë tash e një javë, ndërkohë që sipas pretendimeve të opozitës dokumentet tregojnë se punimet për ndërtimin e rrjetit furnizues të ujësjellësit janë përfunduar qysh në vitin 2022.
PDK-ja akuzon kryetarin e komunës, Bexhet Xheladini nga LDK-ja, për papërgjegjësi dhe mashtrim me letra.
Sipas saj, punimet po kryhen vetëm tani, në kohë fushate, dhe rrjeti është i vendosur mbi tokë, duke treguar mungesë serioziteti ndaj qytetarëve.
“Banorët e fshatit Blaç meritojnë ujë të pastër dhe një zgjidhje reale, jo improvizime të kohës së fushatës dhe arsyetime boshe. Kjo është një qasje e papranueshme, që tregon mungesë totale përgjegjësie dhe transparence nga kryetari Xheladini”, thuhet në postim.
PDK-ja bën thirrje që institucionet të reagojnë menjëherë dhe të sigurojnë furnizimin e qytetarëve me ujë, duke paralajmëruar se kjo çështje do të qëndrojë në fokus të opozitës deri në zgjidhje.