×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Mashtrimi në tender- Ministria kërkon që të futen në listë të zezë firmat Medplus e Radix

    Insajderi
    21 February 2024 - 15:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy kompani private janë denoncuar nga Ministria e Shëndetësisë. Dyshohen për mashtrimin në një tender qindra mijëra eurosh. Gazeta Insajderi ka siguruar shkresën përmes së cilës denoncohen këto dy kompani. Aty tregohen dëshmitë e përfshirjes në mashtrim të këtyre kompanive.

    Në tenderin e ndjeshëm të furnizmit me material medicinal, një konzorcium i dy kompanive kosovare kanë dorëzuar informata të rreme me qëllim që të fitojnë qindra mijëra euro nga shteti.

    Mashtrimi i tyre është vërejtur nga shteti. Dy kompanitë janë eliminuar nga tenderi. Po ashtu, janë proceduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për tu futur në Listë të Zezë. Rrezikojnë që të përjashtohen nga prokurimi publik për një afat 1 vjeçar.

    Kompanitë e denoncuar për mashtrim janë Medplus dhe Radix Pharm. Të dyja kanë konkurruar si pjesë e një konzorciumi të përbashkët.

    Medplus drejtohet nga Jeton Prenaj. Edhe dy të tjerë janë ortakë me të në këtë kompani. Shpend Dragusha e Liridon Zhjeqi. Ndërkaq firma Radix Pharm është në pronësi të Arsim Halitit.

    “Mashtruan me çertifikatë të skaduar të prodhues nga Kina”

    Më 14 shkurt të këtij viti, Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Shëndetësisë i dërgoi një shkresë kryetarës së OSHP’së, Vjosa Gradinaj-Mexhuanit.

    Nga ajo ka kërkuar që të merren masa kundër firmave Medplus dhe Radix Pharm.

    Zyra e Prokurimit përmes kësaj shkrese njoftoj kryetarën e OSHP’së për mashtrimin e bërë nga biznesmenët që udhëheqin këto dy kompani.

    MSH ka kërkuar që këto dy kompani të futen në listë.

    Gazeta Insajderi ka siguruar këtë shkresë. Aty përmenden arsyet se pse këto dy kompanitë meritojnë të përjashtohen nga prokurimi publik.

     Mashtrimi nga këto dy kompani, sipas prokurimit të MSH’së, është bërë gjatë procesit tenderues për “Furnizim me material shpenzues medicinal nga Lista Esenciale”. Ky tender ka vlerën prej mbi 300 mijë eurosh.

    “…gjatë procesit të vlerësimit të këtij aktiviteti, Komisioni i Vlerësimit ka vërejtur se Grupi i Operatorëve Ekonomik “Medplus SH.P.K dhe Radix Pharm”, në ofertën e tij ka dorëzuar certifikatën ISO 13485: 2016 për prodhuesin Forlong Medical CO., Ltd-China me nr. të certifikatës 47014 në të cilën figuron periudha e validitetit deri me datë 18.10.2024″, thuhet në këtë shkresë.

    “Komisioni vlerësuar e ka vërejtur në ëebsite të prodhuesit Forlong Medical, ku është publikuar e njejta certifikatë me të njejtin numër (47014), por e cila figuron me afat të skaduar me datë 18.10.2022”, theksohet në shkresën e MSH’së drejtuar OSHP’së.

    Zyra e Prokurimit ka bërë verifikim shtesë lidhur me këtë dokument. Ka kërkuar zyrtarisht sqarime nga NQA, autoriteti që e ka lëshuar këtë certifikatë.

    Për të verifikuar se a është ende valide apo ka skaduar certifikata ISO 13485:2016 e prodhuesit Forlong Medical China me nr. 47014, Komisioni i vlerësimit ka kërkuar sqarim nga institucioni që e ka lëshuar këtë certifikatyë NQA në e-mailin [email protected]

    “Përgjigja me shkrim nga NQA si lëshues i kësaj certifikate është: Kjo cerfitikatë me numrin 47014 ka skaduar dhe është anuluar në tetor të vitit 2022”, theksohet në shkresën e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Zyra e prokurimit e kësaj ministrie ka vlerësuar se kjo certifikatë e dorëzuar nuk është valide, është e modifikuar dhe është dorëzuar rrejshëm me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm. Sipas prokurimit të MSH’së, këto dy kompani kanë përdorur një certifikatë  të pavlefshëm që përmbanë informata të pasakta.

    Ligji i Prokurimit: 1 vjet përjashtim nga tenderët publik”

    Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që në këtë rast të aplikohen dy nene të Ligjit të Prokurimit Publik. Neni 99.2 si dhe neni 67.9.

    “Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjën e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik, për një periudhë një vjeçare”, thuhet në nenin 99.2.

    Ndërsa në nenin 67.9 përcaktohet kjo masë ndëshkimore:

    “Në rast se një vendim për diskualifikim të një operatori ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik, atëherë OE i diskualifikuar nuk ka të drejtë të merrë pjesë në asnjë aktivitet të prokurimit prej datës së vendimit”.

    Në anën tjetër, Organi Shqyrtues i Prokurimit ende nuk ka marrë vendim lidhur me kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo kërkesë e Ministrisë pritet të shqyrtohet së shpejti nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, që njihet si “Gjykata e Tenderëve”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark