
Një shtetase kineze është dënuar nga drejtësia britanike pas një hetimi ndërkombëtar shtatëvjeçar për pastrim parash që çoi në sekuestrimin më të madh të kriptomonedhave në botë.
Policia Metropolitane tha se kishte sekuestruar 61,000 Bitcoin me vlerë më shumë se 5 miliardë paund, të cilat ishin të ardhurat e një mashtrimi që kishte prekur mijëra investitorë.
Zhimin Qian, e njohur edhe si Yandi Zhang, u deklarua fajtore për blerje dhe posedim të paligjshëm të kriptomonedhave. Sipas Policisë Metropolitane, ajo udhëhoqi një mashtrim në shkallë të gjerë në Kinë midis viteve 2014 dhe 2017, duke mashtruar më shumë se 128,000 njerëz. Paratë u konvertuan në Bitcoin dhe u ruajtën për të shmangur zbulimin nga autoritetet.
Rrëfimi i saj erdhi pas një hetimi shtatëvjeçar mbi një rrjet ndërkombëtar pastrimi parash, i cili u zbulua falë një informacioni në lidhje me transferimin e fondeve të paligjshme. Kian kishte arritur të arratisej për pesë vjet, deri në arrestimin e saj në Mbretërinë e Bashkuar, ku ajo kishte përdorur dokumente të falsifikuara për të provuar qw të legalizonte fitimet duke blerë prona.
Avokati i saj, Roger Sahota, tha se klientja e tij, duke pranuar fajësinë, “shpreson t’u japë njëfarë lehtësimi investitorëve që kanë pritur kompensim që nga viti 2017” dhe të sigurojë që “rritja e vlerës së kriptovalutave siguron fonde të mjaftueshme për të mbuluar humbjet”.
Megjithatë, raportet tregojnë se qeveria britanike mund të përpiqet të mbajë fondet e sekuestruara. Ndryshimet legjislative të prezantuara nga qeveria e mëparshme konservatore synonin ta bënin më të lehtë për autoritetet britanike të sekuestronin, ngrinin dhe rikuperonin kriptovalutat. Ndryshimet gjithashtu do t’u lejonin disa viktimave të aplikonin për të liruar asetet e tyre të mbajtura në llogari.
“Perëndesha e pasurisë”
Qian u ndihmua nga Jian Wen, një punonjëse kineze restoranti e cila u dënua vitin e kaluar me gjashtë vjet e tetë muaj burg për pjesëmarrjen e saj në mashtrim. Wen pastroi një pjesë të konsiderueshme të parave, duke u zhvendosur nga një apartament i vogël sipër një restoranti në një shtëpi luksoze në veri të Londrës, dhe gjithashtu duke blerë dy prona në Dubai me vlerë më shumë se 500,000 paund. Policia Metropolitane sekuestroi më shumë se 300 milionë paund në Bitcoin të lidhura me Wen.
Sipas raporteve kineze, investitorët, kryesisht të moshës midis 50 dhe 75 vjeç depozituan shuma që varionin nga qindra mijëra deri në dhjetëra milionë juanë. Ata përfshinin biznesmenë, bankierë dhe gjyqtarë, shpesh të joshur nga të njohurit dhe të afërmit. Qian u paraqit si një “perëndeshë e pasurisë”, por investitorët nuk e njihnin vërtet portretin e saj. (A2 Televizion)