Sot është arrestuar personit që dyshohet se me një histori të rreme të bamirësisë, ka arritur që t’i mobilizojë disa personazhe të njohura në TikTok, përfshirë reperin gjilanas, Fero, e që të njëjtit kanë arritur që të mbledhin 100 mijë euro brenda një kohe shumë të shkurtër.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Bujar Krasniqi, 31-vjeçar.
Krasniqi po shijonte lirinë nga arratia që nga fundi i tetorit të vitit të shkuar, kur edhe dyshohet se ndodhi e gjithë ngjarja.
Me urdhër të prokurorit, pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’. Po ashtu brenda afatit ligjor, ndaj tij pritet që të merren veprimet tjera ligjore.
Por si dyshohet të ketë ndodhur i gjithë rasti?
Një person i prezantuar me emrin, Armend Morina, për disa ditë bëri thirrje për ndihmë, pasi pretendonte që vëllai i tij, Blerimi, vuan nga sëmundja e rëndë e leukemisë akute dhe për shërimin e tij nevojiteshin 100 mijë euro.
Me të dëgjuar për rastin, ‘kingat e TikTok-ut’, ishin mbledhur në video me lidhje direkte dhe kishin arritur që brenda 24 orëve të arrijnë t’i grumbullojnë mbi 95 mijë euro.
E nga këto para, dyshohet se Armendi dhe personi që u arrestua sot, kanë përvetësuar hiç më pak se 18 mijë euro.
Gjërat kishin nisur të marrin kahje të dyshimtë pasi Armendi ishte ‘zhdukur’ dhe telefoni i tij nuk po funksiononte më. Kjo kishte bërë që donatorët të shqetësohen dhe të ngrenë dyshime nëse paratë që mblodhën shkuan në vendin e destinuar.
Pas denoncimit të rastit, kanë filluar hulumtimet prej të cilave është mësuar se në Klinikën e Hematologjisë, ku trajtohet leukemia akute, nuk kanë mundur të konfirmojnë një pacient me emrin Blerim Morina.
E as në qytetin prej të cilin pretendonin se vijnë dy vëllezërit Morina, askush s’ishte në dijeni për ‘ekzistencën’ e tyre.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.