Analisti politik Halil Matoshi, ka theksuar sot se mobilizimi i masave nga ana e tri partive opozitare është një kauzë false dhe e paqëndrueshme, e cila po bëhet si mbulesë e sic ka thënë ai, kryekauzës së gjykatës speciale.
“Opozita ka krijuar dy kauza te paqëndrueshme dhe false me qellim te mobilizimit të turmave dhe interesave politike. Pas këtyre kauzave të paqëndrueshme vazhdojë ta shoh kryekauzen gjykata speciale,” ka thënë Matoshi.
Këto komente Matoshi i ka bërë në një tryezë që është duke u mbajtur në mes të drejtuesve të qeverisë, Kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve.
Takimi ka filluar në orën 11 dhe është duke vazhduar ende. Më herët edhe Kryeministri Mustafa i është drejtuar me një fjalim pjesëmarrësve, duke thënë se marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe Malin e Zi janë në dobi të Kosovës.
Po ashtu, Mustafa i është përgjigjur edhe thirrjeve që kanë ardhur nga shoqëria civile për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke thënë se këto do të mbahen vetëm në vitin 2018.
Në anën tjetër, ish-politikani dhe avokati Azem Vllasi, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dy variante përpara vetes:
“E, para te përfshihet AAK ne koalicion dhe qeverisja vazhdon deri ne 2018, dhe e dyta te bisedohet për zgjedhje,” ka thënë ai.
Po ashtu, Vllasi ka thënë se Hashim Thaçi nuk është kandidati i duhur për postin e presidentit të vendit./Insajderi.com