Kylian Mbappé është shfaqur në sy të publikut në stërvitjen e Realit të Madridit, që kthehet në aksion të shtunën, pas një jave të trazuar për shkak të akuzave që shpërthyen nga mediet se kapiteni i Francës ishte subjekt i një hetimi për përdhunim pas një vizite në Stokholm.
25-vjeçari Mbappé pritet të jetë i disponueshëm për Madridin kur të vizitojë Celta Vigo të shtunën në La Liga.
Mbappé po përballet me krizën e parë të mundshme të karrierës së tij “yjore” pas raportimeve për një hetim për përdhunim në kryeqytetin suedez, ku ai shkoi për një qëndrim të shkurtër javën e kaluar.
Pa cituar burime, media suedeze raportoi se Mbappé ishte subjekt i një hetimi. Përfaqësuesit e Mbappesë i kanë quajtur këto informacione “të rreme dhe të papërgjegjshme”.
Prokurorët suedezë lëshuan një deklaratë të shkurtër të martën duke thënë se një përdhunim ishte raportuar në polici, por nuk përmendën asnjë të dyshuar.
Mbappé lëndoi kofshën e majtë në fund të shtatorit, por ai humbi vetëm një ndeshje për Madridin, duke u rikthyer si zëvendësues në disfatën e papritur 1-0 ndaj Lilles së Zhegrovës në Champions League, përpara se të fitonte 2-0 ndaj Villarrealit në kampionatin spanjoll.
Ndeshja e Madridit në Vigo do të pasohet nga një ecuri e vështirë: Borussia Dortmund në shtëpi në Champions League, Barcelona në shtëpi dhe Valencia jashtë në La Liga, dhe më pas Milani në shtëpi në Champions League.
Madridi është në vendin e dytë në La Liga, me tri pikë më pak se Barcelona pas nëntë javëve të para.