×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbërrijnë edhe 100 mijë vaksina kundër COVID-19 në Shqipëri

    Insajderi
    09 April 2021 - 08:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të enjten në Shqipëri kanë mbërritur 100 mijë doza të tjera vaksinash “Sinovac” të Kinës. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili shpërndau në faqen e tij në Facebook momentin e mbërritjes së tyre në Aeroportin e Rinasit.

    “Me një ditë vonesë për shkak të tentativës çmendurake për bllokimin e fushatës së vaksinimit dhe nxitjen e rrëmujës në prag të zgjedhjeve, mbërrijnë 100,000 vaksina të tjera anti-Covid”, shkruan Rama.

    Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se me këto ritme do të realizohet plani që brenda muajit maj të jenë vaksinuar 500 mijë qytetarë.

    “Kjo i shërben vaskinimit të popullatës në përpjekje që të kryejmë 500 mijë vaksinime deri në muajin maj”, tha ajo.

    Ardhja e vaksinave kineze është pjesë e marrëveshjes së finalizuar ditë më parë, ku qeveria e Shqipërisë ka siguruar 1 milion doza vaksinash kineze Sinovac kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas negociatave me një kompani turke të autorizuar për distribuimin e këtyre vaksinave.

    Nga kjo kontratë e nënshkruar më 25 mars në Stamboll mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kompanisë turke “Keymen Ilaç Sanayive Ticaret”, parashikohet që fillimisht të blihen 500.000 doza, të cilat pritet të dërgohen në Shqipëri gjatë dy muajve të ardhshëm.

    Shqipëria ka filluar procesin e vaksinimit në fillim të muajit janar. Deri tani, në këtë vend janë vaksinuar 232.556 persona.

    Prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars të vitit 2020, rreth 127.500 persona janë infektuar me koronavirusin e ri.

    Prej tyre 2.297 pacientë kanë vdekur.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark