Në Shqipëri mbërrijnë 60 mijë doza të tjera të vaksinës Coronavac të Sinovac, pjesë e kontratës së dytë prej 500 mijë dozash, të qeverisë shqiptare me distributorin e autorizuar të Sinovac. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj kanë pritur mbërritjen e vaksinave nga Aeroportin “Nënë Tereza”, ku deklaruan se janë garantuar plotësisht dozat e dyta për qytetarët.
“60 mijë dozat që mbërritën sot, janë pjesë e kontratës së dytë që qeveria shqiptare ka negociuar me distributorin e autorizuar të vaksinës Coronavac të Sinovac. 60 mijë doza, të cilat do të përdoren për qytetarët që kanë marrë dozën e parë dhe duhet të vijojnë edhe vaksinimin me dozën e dytë. Tashmë në Shqipëri janë mbi 830 mijë doza në total që kanë mbërritur”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se të hënën vijnë sërish mbi 14 mijë vaksina Pfizer dhe përsëri vaksina AstraZeneca në fund të majit, duke vijuar me kalendarin e vaksinimit.
“E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor. Duke filluar nga dita e nesërme serish vijnë vaksina, janë 14,040 vaksina që vijnë nga kontrata jonë me Pfizer dhe nga kontrata e lidhur me Bashkimin Europian. Brenda muajit maj dhe fillim qershori, presim gjithashtu të vijnë edhe 40 mijë vaksina të AstraZeneca nga instrumenti COVAX dhe do të kemi serish sipas kalendarit të ardhjes së vaksinave, lloje të vaksinave që qeveria shqiptare ka kontaktuar dhe do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit”, tha Manastirliu.
Duke folur për planin e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë tha se me ardhjen e vaksinave, do të ulet fasha dhe do të zgjerohen kategoritë, duke filluar nga vaksinimi për punonjësit e transportit publik.
“Dhe duke filluar me ardhjen e vaksinave, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me distributorin e Sinovac, 500 mijë vaksina, do të vijojmë edhe rritjen e grupeve të riskut, duke përfshire edhe punonjësit e transportit publik, të cilët janë pjesë e planit tonë të vaksinimit, ndërsa do të vijojmë edhe me uljen e fashës”, tha Manastirliu.
Deri tani, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri kanë mbërritur mbi 833,010 doza vaksine antiCOVID. Janë kryer 712,446 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre, 240,709 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.