×
  • Lajme
  • Lajme

    “Mbetjet kriminale të Serbisë”- Sveçla reagon pas tentimit për vënie zjarri në ëmbëltoren në veri ku ishte me Agim Bahtirin

    Insajderi
    14 July 2024 - 13:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë një reagim pas tentimeve për vënien e zjarrit ndaj pastiçerisë në veri të Kosovës, ku ishte prezent Sveçla dhe akterë të tjerë të VV’së para dy ditësh.

    Ai me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se “lufta e pandalshme kundër grupeve kriminale të Serbisë dhe neutralizimi i ndikimit të tyre në masë ka arritur të krijojë normalitet jetese”.

    Sveçla ka thënë se kjo “i pengon disa mbetjeve kriminale të Serbisë në veri”.

    “Lufta jonë e pandalshme ndaj grupeve kriminale të Serbisë dhe neutralizimi i ndikimit të tyre në masë ka arritur të krijojë normalitet jetese me ç’rast shumë qytetarë tanë atje kanë filluar të krijojnë mundësitë për zhvillimin e tyre. Ky fakt duket se i pengon edhe disa mbetjeve kriminale të Serbisë në veri me ç’rast në mëngjesin e sotëm jam njoftuar se është sulmuar me koktej molotovi pastiçeria “Sharr” në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Sveçla.

    “Dënoj ashpër këtë sulm dhe kërkoj nga organet përkatëse në identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë. Sulmet e tilla nuk do të na zmbrapsin asesi dhe jam i bindur se nuk do ti frikësojnë e ndalin as qytetarët tanë. Rendi e ligji do të triumfojnë me çdo kusht mbi terrorin”, shtoi tutje ai.

    Ëmbëltorja “SAR”, apo në shqip Sharr, në veri të Mitrovicës ka qenë cak i një tentimi të zjarrvënieje në orët e para të së dielës.

    Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi zëvendës-drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

    Elshani bëri të ditur se nga ky tentim për zjarrvvënie janë shkaktuar dëme të vogla materiale ndërsa të dyshuar nuk ka për momentin.

    “Rreth ores 03.30 ka pas tentim zjarrëvënie në Mitrovica Veri. Dëme të vogla materiale janë shkaktu. Për momentin nuk kemi të dyshuar”, tha Elshani. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark