×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbi 14 milionë euro, përzgjidhet ofertuesi më i shtrenjtë – Renovimi i Stadiumit të Gjilanit në duart e “dostave” të Alban Hysenit

    Insajderi
    03 June 2024 - 16:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka vendosur që ta shpërbleje me tender për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupin e operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë, 14 milionë e 997 euro. Deri tek nënshkrimi i këtij tenderi dyshohet se janë kryer një sërë shkeljesh. Duke filluar nga menaxheri i zyrës së prokurimit i cili mundësoi nënshkrimin e këtij tenderi e deri të pronarët e kompanive të përzgjedhura. Drejtues dhe sponsorë të klubit futbollistik Gjilani, si dhe persona të afër me zëvendësministrin e Kurtit. Përkatësisht, ‘dosta’ të Alban Hysenit. Insajderi ju sjell detajet.

    “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, janë grupi i operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë për renovimin e stadiumit të Gjilanit, ndërkohë që në garë ishin edhe dy grupe tjera me oferta më të lira.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se Kujtim Bajrami, menaxheri i zyrës së prokurimit ishte personi i vetëm që pranoi t’ia japë grupit të operatorëve më të shtrenjtë tenderin.

    Madje, ishte pikërisht mos certifikimi i tij që ndikoi që përzgjedhja të shtyhet, pra derisa ai u certifikua.

    Nga burime të sigurta është mësuar se Kujtim Bajrami është mik i kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.

    Insajderi ka kontaktuar Bajramin por i njëjti ka kërkuar të presim përgjigje nga Zyra për Informimin në Komunën e Gjilanit.

    Kush e fitojë tenderin?

    Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadimut të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”. Grupi ky me ofertën më të shtrenjtë. Pronarët e këtyre kompanive mësohet se kanë ndërlidhje me njëri-tjetrin.

    Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani janë përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”.

    Përpos drejtueseve të klubit të Gjilanit përfitues del të jetë edhe Bujar Shabani, miku i Hysen Durmishit të Vetëvendosjes, si dhe firma “AVAG” e cila është në pronësi të punëtorit të firmës tjetër përfituese të tenderit, kompanisë “El-Bau” të Fatlum Pirevës.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht kryetari Alban Hyseni mbi këtë çështje por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri tani.

    Ofertat milionëshe për renovimin e stadiumit të Gjilanit

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 15 milionë euro për vazhdimin përkatësisht renovimin e stadiumit të Gjilanit.

    Çeku kishte deklaruar se kanë ndarë edhe 15 milionë euro për renovimin e stadiumit duke qenë se sipas tij me problemet e mëdha që kishte në këtë tender që nuk përfundoi asnjëherë, problemi do të vazhdonte deri në viti 2054.

    Në muajin janar të këtij viti pritej të kryehej procedura e prokurimit tenderi per renovim por u pezullua. Ky vendim ishte marrë pas ankesës që kishtë parashtruar operatori ekonimik “Bardhi Ndërtim Sh. P.K”, nën pronësi të biznesmenit, Bardhyl Zeka.

    “Pezullohet aktiviteti i prokurimit me titull “Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit” me nr të prokuriomit 651-23-13546-5-1-1 nxjerr: Për hapat tjerë lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, me kohë do të jeni të informuar përmes platëformës së prokurimit elektronik. Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe do të publikohet për të gjitha palët në platformën elektronike në adresën e zyrës së prokurimit”, thuhej në vendimin e Zyrës së Prokurimit.

    Sidoqoftë, me 31 janar është marrë vendim që ky tender t’i besohet grupit të operatorëve ekonomikë me ofertën më të shtrenjtë. Pra grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Cartenbau CmblI”, “AVAG GROUP SH.P.K”, “BL-BAU. SH.P.K., “Bujar Shabar”, “B.L: KOSOVA”, :ASFALT SH.P.K”, “K.N.T.SH. Teuta – M”, “SH. R.M. Lagerstrasse 1-1”, “6600 Lubendorf”.

    Ndërkohë në garë ishte edhe Grupi i operatorëve ekonomikë: “Pro & Co”, “Group SH.P.K”, “Companya Eskavatori” dhe “Sh.p.k.; Palma”, të cilët kanë ofruar 14 milionë e 400 mijë euro për renovimin e stadiumit.

    Si dhe grupi i operatorëve ekonomikë : “N.N.P”, “EURO CONSTRUCTION”, “Beni Construction SH.P.K”, “2T Shpk”, “2A Group SH.P.K”, “DOMID SH.P.K’ të cilët sipas dokumentit të tenderimit kanë ofruar 13 milionë e 274 euro, njëherit edhe çmimi më i ultë që ishte ofruar. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark