Mbi 19 milionë indonezianë do të marrin rrugë përmes udhëtimit tokësor, detar dhe ajror për tek familjet e tyre për të festuar bashkë të dielën festën e Fitër Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).
Fluksi masiv i udhëtarëve i njohur si “Mudik” (kthimi në shtëpi), është bërë një traditë e muslimanëve indonezianë. Njerëzit nisin udhëtime të rraskapitura, orë të gjata për t’u ribashkuar me familjet e tyre.
Zëdhënësi i Ndërmarrjes Shtetërore të Hekurudhave, tha për AA të premten se turmat e mëdha të njerëzve në stacionin qendror hekurudhor në Xhakarta kanë filluar të mblidhen që javën e kaluar.
Zëdhënësi i policisë, Setyo Wasisto tha se kulminacioni i prezencës së madhe nga vala e njerëzve të cilët udhëtojnë te familjet e tyre është dy ditë para Bajramit.
Ai i paralajmëroi banorët të mos presin shumë afër festës: “Mos shkoni në shtëpi në prag të Bajramit sepse parashikohet që numri i automjeteve në rrugë do të jetë shumë i madh”, tha ai.
Dymbëdhjetë persona humbën jetën vitin e kaluar si pasojë e bllokimit treditor në trafik.
Ministri për Transport, Budi Karya Sumadi, tha se pritjet e tyre janë që numri i udhëtarëve këtë vit të rritet për pesë për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Ministria për Çështjet Fetare do të njoftojë festën të shtunën në varësi nga shikimi i hënës, në përputhje me kalendarin hënor islamik.