×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Mbi 2 miliardë euro llogariten kreditë e qytetarëve nëpër banka

    Insajderi
    13 March 2017 - 11:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bankat komerciale të cilat veprojnë në Kosovë paraqesin oferta të llojllojshme të kredive. Ofertat, përfshijnë kreditë konsumuese, ato për banim, shkollim, biznese, prodhim, por edhe për festa të ndryshme.

    Mbi 2.2 miliardë euro ka kaluar vlera e kredive të qytetarëve në dhjetë bankat private, kurse mbi 1.4 miliard euro, llogariten kreditë për ndërmarrje, përderisa rreth 800 milionë euro përbëjnë shumën kreditë familjare.

    Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, norma efektive e interesit për kredi është 8.5 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

    Megjithatë, ekspertë të kësaj fushe, konsiderojnë se në disa raste qytetarët marrin kredi pa ndonjë planifikim paraprak.

    Kurse, përfaqësues të Shoqatës së Bankave të Kosovës, pohojnë se edhe ulja e normave të interesit për kredi në një shifrore, ka rritur gatishmërinë e qytetarëve dhe bizneseve për t’iu drejtuar bankave për kredi.

    Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kreditimi në Kosovë vitin e kaluar ka shënuar rritje prej 10 për qind. Kjo shënon rritjen më të madhe në tri vitet e fundit.

    Balija thotë se do të preferonte që të ndryshohet trendi i marrjes së kredive. Sipas tij, më e arsyeshme është marrja e kredive për biznese, se sa kredi për konsum.

    “Shpresojmë që ky trend të ndryshohet. Më e dëshirueshme është që të kemi më shumë kredi për biznese sesa për qytetarët. Megjithatë po shpresojmë se ky është një sinjal i optimizimit ekonomik”, ka thënë Balija.

    Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se para marrjes së vendimit për të aplikuar për kredi, qytetarët duhet të planifikojnë me kujdes arsyen e marrjes së kredisë.

    Naim Gashi, thotë se në shumicën e rasteve, kreditë duhet të merren për investime dhe jo konsum, pasi sipas tij, kredia për konsum mund të rritë varfërinë duke i shtyrë familjet të përballen me vështirësi të jashtëzakonshme financiare.

    “Fatkeqësisht një pjesë dërmuese e qytetarëve marrin kredi për konsum, për pushime dhe gjëra tjera dhe nuk marrin kredi për investime, qoftë investime për ndërtim apo rindërtim të objekteve të banimit”.

    “Po ashtu edhe një pjesë e bizneseve, marrin kredi për blerjen e veturave, rritjen e luksit nëpër zyrat e tyre dhe nuk marrin kredi për profesionalizimin e fuqisë punëtore, zgjerimin e linjave prodhuese dhe për avancimin e shërbimeve të tyre që u ofrojnë klientëve”, ka thënë Gashi, për Radion Evropa e Lirë.

    Por, qytetarët thonë se për shkak të pagave të ulëta, ata detyrohen që për çfarëdo projekti familjar t’iu drejtohen bankavekomerciale.

    Blerim Gashi nga Prishtina, ka dy vite që paguan këste për kredi, kurse edhe katër vite tjera ka për të përfunduar kredinë në vlerë prej 10 mijë euro.

    Ai thotë se ka qenë i detyruar të marr kredi për të investuar në renovimin e shtëpisë, ndonëse, siç thotë ai, kamatat për kredi janë të larta.

    “Unë nuk ka pas mundësi që të kursej mjetet e nevojshme për riparimin e shtëpisë. Kam marrë kredi për ndërtim. Mendoj se kamatat janë shumë të shtrenjta, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër”, thotë Gashi.

    Përveç kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale, një pjesë e madhe e klientëve borxhe kanë edhe në institucionet mikrofinanciare që operojnë në vend.

    Marrja e kredive, i obligon kredimarrësit që t’i shlyejnë borxhet me kohë, përfshi edhe normën e interesit.

    Në të kundërtën, përballen me gjoba. Kurse në rastet kur nuk arrijnë ta paguajë borxhin, bankat kanë mundësinë ligjore që t’i fillojnë procedurat për marrjen e hipotekës që është lënë peng nga kredimarrësi, gjatë procedurave të marrjes së kredisë. (REL)

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark