×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Mbi 30 mijë euro” Gjashtë zyrtarë komunalë në Deçan përfituan subvencione përmes OJQ’ve të tyre

    Insajderi
    12 November 2024 - 16:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Disa zyrtarë të komunës së Deçanit kanë përfituar subvencione përmes Organizatave Jo-qeveritarë dhe Klubeve sportive që ata posedojnë. Gazeta Insajderi ka identifikuar disa përfitues e të cilët përmes thirrjes për subvencionim gjatë muajit maj kanë përfituar financiarisht, dikush me pak e dikush deri në 20 mijë euro.

    Në mesin e 25 organizatave që përfituan subvencione nga Komuna e Deçanit, gjashtë nga to janë zyrtarë dhe punonjës në Komunën e Deçanit.

    Organizata që ka përfituar shumën më të madhe nga kjo thirrje është Klubi Futbollistik “Deçani”. 20 mijë euro. Themelues i kësaj organizatë është Avni Rexhaj, i cili është Zyrtar për Kulturë, Rini dhe Sport në Deçan. Ndërsa në Listën e Organizatave Jo-Qeveritare në Kosovë, si drejtor i klubit është emri i Zeqë Malaj, i cili po ashtu është zyrtar për Arsim në Deçan.

    Zeqë Malaj ka përfituar edhe përmes Fondacionit “Dhuro dhe ti” shumën prej 1 mijë euro.

    Tek regjistrimi I OJQ’ve vendore, emri i tij figuron si përfaqësues i autorizuar dhe themelues.

    Në mesin e organizatave që kanë përfituar është edhe Organizata “Iniciativa për Zhvillim” pronare e së cilës është Ajne Iberhysaj. Iberhysaj punon si Inspektore për Mjedis në Komunën e Deçanit.

    Ajo ka përfituar 3 mijë euro nga kjo thirrje.

    Përfitues është edhe zyrtari për Bujqësi në këtë komunë, Bajram Çekaj. Insajderi mëson se ai para disa ditësh ka dalur në pension por në kohën kur ka përfituar subvencionin ka qenë zyrtar komunal.

    Ai përmes , Grupi Lokal i Veprimit “Gjeravica” ka përfituar 2 mijë euro nga komuna.

    Përfitues është edhe  një punonjës në recepsion. Miftar Januzaj përmes organizatës Organizata për Mbledhjen Ruajtjen dhe Konzervimin e Eksponateve Antike ka përfituar 2 mijë euro nga komuna.

    Tek regjistri i OJQ’ve emri i tij figuron si drejtor i organizatës.

    Përfitues është edhe zyrtari, Mustafë Ramaj i cili punon si  Zyrtar për Trashëgimi Kulturore. Ai përmes OJQ “Dërvish Shaqa” ka përfituar nga komuna subvencion në vlerë prej 2 mijë euro.

    Lidhjen e zyrtarëve përfituesve përmes subvencioneve e ka konfirmuar për Insajderin dhe asamblisti i LDK’së në Deçan, Vatan Istrefaj.

    Ai ka thënë për Insajderin se parat e komunës, kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve komunal dhe shokëve të kryetarit, Bashkim Ramosaj.

    “Këto mjete supozohet të ju shkojnë qytetarëve të Deçanit që merren me shoqëri Civile. Ndërsa në Deçan këto mjete kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve komunal ose shokëve të kryetarit. Ky është një konflikt i pastër i interesit. Ekzekutivi komunal e she komunën si  pronë të tyre” ka thënë ai për Insajderin.

    Gazeta Insajderi ka provaur të marr edhe një përgjigje nga Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj por i njejti nuk ka qenë i qasshëm.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark